Shteti në kaos, institucionet në gjumë/ Blendi Fevziu shpërthen ndaj Presidentit dhe politikës.

Nga Blendi Fevziu
Jam në studio në emisionin Opinion për vitin e 30-të. Jam në gazetari që nga dita e parë e shtypit të lirë në Shqipëri, më 5 maj të vitit 1991. Nuk kam parë kurrë në këto vite një, po e quaj, mungesë respekti dhe reagimi të institucioneve.
Pushteti nuk është vetëm Kryeministri. Natyrisht që Kryeministri duhet të reagojë dhe reagimi i tij është në një farë mënyre reagimi final, sepse do të jetë ai që do të marrë vendimin. Por pushteti ka një sërë institucionesh.
Ku është Presidenti i Republikës? Presidenti i Republikës, që nga Ramiz Alia biles i vitit 1991, që në momente krize thërriste partitë politike për konsultime, e deri tek Ilir Meta ai para tij, thërrisnin partitë politike për negociata. Presidenti i Republikës shkruan në Facebook sikur të jetë influencer dhe jo sikur të jetë institucioni i vetëm që qëndron mbi pushtetet në Shqipëri. E ka detyrimin e tij t’i thërrasë, sepse qyteti është në kaos. Dhe sot askush nuk e di të thotë se çfarë do të ndodhë nesër.
Alfred Moisiu i ka thirrur partitë politike, i ka mbajtur gjithë natën drejtuesit për të zgjidhur një problem mes tyre. Bamir Topi, kur ishte çështja e hapjes së kutive, ka thirrur partitë politike, Ramën dhe Berishën kanë qëndruar aty për të gjetur një zgjidhje. Bujar Nishani, ndjesë pastë, ka thirrur Lulzim Bashën dhe Edi Ramën kur ishte kriza politike. Ilir Meta ka thirrur partitë politike.
Presidenti mban një postim në Facebook; Presidenti nuk është as OSBE-ja, as Bashkimi Evropian. Është kreu i shtetit që duhet t’i kërkojë partive politike konsultim dhe një plan për të dalë nga kaosi.
Ku janë deputetët e Parlamentit Shqiptar, që i sheh çdo ditë që bëjnë parakalim mode diku ngjitur në Parlamentin e Shqipërisë apo që zihen e përplasen? Asnjëri prej tyre nuk ka shkuar tek votuesi i tij, me përjashtim të pak deputetëve të opozitës që janë parë kryesisht në dyert e komisariateve.
Ku është Avokati i Popullit, i cili prej 48 orësh, me dhjetëra video të publikuara me përplasje, qoftë dhunë ndaj protestuesve, qoftë goditje të policëve (pra të dyja palëve), nuk ka asnjë lloj reagimi?






