AKTUALITETTOP-NEWS

Fieri nën masa të shtuara policore, gjimnazistët tentojnë të protestojnë

Fier – Sipas një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, gjimnazistët kishin planifikuar të protestonin këtë mëngjes, rreth orës 09:00–10:00, në sheshin qendror të Fierit.

Policia kishte marrë masa që në orët e para të mëngjesit, duke dislokuar furgona dhe forca policore në sheshin kryesor të qytetit, si dhe pranë gjimnazeve. Ndërkohë, raportohet se pranë shkollave janë vendosur edhe punonjës policie civilë.

Pavarësisht përpjekjeve për t’u organizuar dhe për t’u bashkuar me nxënësit e shkollave të tjera, gjimnazistët janë përballur me pengesa. Ata kanë tentuar të dalin nga ambientet e shkollave dhe të drejtohen drejt qendrës së qytetit, por në disa raste janë ndaluar.

Situata është tensionuar pranë shkollës së mesme profesionale “Petro Sota”, ku stafi pedagogjik ka bllokuar portën, duke mos lejuar daljen e nxënësve. Përballë shkollës janë pozicionuar edhe forca të shumta policie.

Megjithatë, një pjesë e gjimnazistëve kanë arritur të dalin dhe janë drejtuar drejt qendrës së Fierit, me synimin për t’u bashkuar me nxënësit e tjerë dhe për të organizuar protestën e paralajmëruar.

Gjatë zhvillimeve janë raportuar edhe incidente të vogla, përfshirë hedhjen e mbeturinave në rrugë dhe përdorimin e mjeteve piroteknike.

Pritet të shihet nëse gjimnazistët do të arrijnë të mblidhen në sheshin qendror dhe të zhvillojnë protestën e paralajmëruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button