
Nga Çun Lajçi
Sot në mëngjes e pashë njanin tue folë me vetveten. M’erdhi gjynah!
Ishte futë ma në fund në zyrën e Kryeministrisë. Si urithi, shikonte e fliste. U trishtova.
Njeriu që s’kishte ba gjumë tanë natën, tash po pinte kafe e po i fliste nji guri; nji guri që kishte dalë prej dorës së nji djaloshi në bulevard, kur ai përpiqej me mbrojtë veten prej tymit, shkopinjve e plumbave të gomës.
Sa makabre!
Nji Kryeministër po shpjegonte pse s’duhej të ikte ai e pse s’duhej të vinte nji «neoballist», nji «neokomunist»… Kështu fliste ajo gërdosi që mban rruaza e penj laramanë, ngjyrëngjyra, në dorën e djathtë, ani pse majtak asht, socialist muti asht!
Tregonte pse duhet me hangër gurë, jo bar, siç thoshte Ramizi dikur, që Shqipnia të bahet Evropë!
Unë u çburrnova, u korita, u marrova e shava:
— Nanën ta ladroftë Evropa!
Ç’të duhet Evropa pa Shqipni e pa shqiptarë? A duhet të vriten gjithë ata djem me maska që ti të shkosh n’Evropë?
Pse duhet të derdhet gjaku për ty?
Sot herët pashë nji gërdallë njeriu që fliste me vetveten. Në dorë mbante nji armë fantazmë — nji gur. Ndoshta ai gur kishte ra në kokën e djalit, ndoshta në qafën e vajzës, ndoshta në ballin e kryepolicit…
Pashë nji njeri të çmendun që çmenduninë e vet don me e çue deri te konopi, te plumbi, te burgu!
Nji Kryeministër që e ka hangër vetveten, mbasi e shiti Shqipninë. E tash, frika e humbjes nuk e len me ba gjumë, nuk e len me mendue kthjelltë, as me folë esëll.
U trishtova kur e pashë njeriun që i ka thanë Evropës: «Unë jam Kryeministri i Shqipnisë. Kam tetëqindmijë vota. Nuk më trembin kalamajt me gurë! Me vendin tim baj ç’të due unë!»
Po m’vjen keq, Ed, por mue po m’dhemb zemra kur po i shoh fëmijët e përgjakun. Kur po e shoh Tiranën të djegun. Kur po i shoh sheshet me gurë.
E pse? Kallxo, pse?
Mos e bleve postin me tapi?
Ik, ti s’ke ma vend në Shqipni! Merri me vete ato vota, shko n’Evropë e bahu mbret!
E di, «na kemi me vuejtë për ty e për çmenduninë tande», por besoj se, me kalimin e kohës, kemi me u mësue edhe pa ty. E nji «neoballist» ka me ia kallxue Evropës se jo krejt shqiptarët janë narkomanë e narkodilerë!
Ikja asht shpëtimi. Nuk ke rrugë tjetër.
18.10.2026











