Nga Elton Qyno – Syri.net

Detaje të reja dalin në dritë nga atentati i rëndë në lagjen “1 Maji” në Fier, ku mbetën të plagosur Sel Çami dhe nipi i tij, Jakup Hasani.

Autorët dyshohet se kishin studiuar me kujdes lëvizjet e objektivit dhe kanë përdorur metoda të posaçme për të realizuar sulmin pa tërhequr vëmendjen.

Sipas burimeve, grupi dyshohet se përbëhej nga tre persona: Dy prej tyre kanë pasur rolin e qitësve, ndërsa i treti ka drejtuar automjetin.

Dyshohet se autorët kanë qenë të maskuar dhe të veshur me uniforma policie, me qëllim që të hynin në lagje pa ngjallur dyshime.

Autorët dyshohet se kishin studiuar me kujdes lëvizjet e objektivit dhe kanë përdorur metoda të posaçme për të realizuar sulmin pa tërhequr vëmendjen.

Ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia.

Në momentin e sulmit, Sela dhe nipi i tij, Jakup Hasani, ndodheshin në oborrin e banesës, ku po punonin pran murit rrethues.

Të dhënat paraprake tregojnë se Jakup Hasani u qëllua me tre plumba, ndërsa Sela me të paktën pesë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 10 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Një tjetër element që po hetohet është përdorimi i dronit për të mbajtur nën vëzhgim Selën.

Dyshimet janë se autorët kanë monitoruar lëvizjet e tij dhe kanë pritur momentin kur ai do të dilte nga banesa në oborr për të realizuar atentatin.

Sipas burimeve, Ai tregohej i kujdesshëm për sigurinë e tij dhe qëndronte kryesisht në banesën e tij në lagjen “1 Maji”.

Zgjedhja e kësaj mënyre veprimi dyshohet se lidhet edhe me faktin se zona është e mbuluar nga kamera të shumta sigurie dhe konsiderohet një lagje e monitoruar për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale rivale.

Për të shmangur zhurmën dhe për të mos tërhequr vëmendjen e banorëve, autorët dyshohet se kanë përdorur dy pistoleta me silenciator.

Këto armë, sipas burimeve, janë gjetur në automjetin tip “Volvo”, i cili u përdor gjatë atentatit dhe më pas u dogj nga autorët, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, identifikuar autorët dhe përcaktuar motivet e sulmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts