Lushnje – Një lokal është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së enjtes në fshatin Karbunarë të Lushnjës. Zjarri ka shkrumbuar plotësisht biznesin, i cili ndodhej në anë të rrugës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Familjarët, pasi kanë konstatuar flakët, kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës, por përhapja e shpejtë e zjarrit e ka bërë të pamundur shpëtimin e lokalit. Prania e materialeve plastike dhe e lëndëve të tjera lehtësisht të djegshme ka favorizuar përhapjen e menjëhershme të flakëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe pronarët e lokalit, të cilët, pavarësisht përpjekjeve, nuk kanë mundur të ndërhyjnë për të shpëtuar biznesin dhe kanë parë të pafuqishëm shkrumbimin e tij.
Shërbimi zjarrfikës i Lushnjës ka ndërhyrë për shuarjen e zjarrit, por në momentin e mbërritjes së efektivëve lokali ishte përfshirë thuajse tërësisht nga flakët.
Sipas të dhënave paraprake nga shërbimi zjarrfikës, dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.












