MAGAZINË

Ariana Grande i del kundër Trumpit: “Mos e përdorni më muzikën time”

Ariana Grande ka reaguar ashpër pasi ekipi i Donald Trump përdori një nga këngët e saj në një video të publikuar në TikTok.

Në videon e publikuar më 20 gusht nga llogaria “Team Trump”, presidenti amerikan shfaqet duke ecur drejt podiumit në një tubim, ndërsa në sfond dëgjohet kënga e Grande, “We Can’t Be Friends (Wait For Your Love)”.

Videoja shoqërohej me një mesazh mbi çështjet e gjinisë dhe sportit, ndërsa në përshkrim shkruhej: “Kjo nuk duhet të jetë kontroverse!”

Grande, 33 vjeçe, reagoi drejtpërdrejt në komentet e videos, duke kërkuar që ekipi i Trump të mos përdorë më muzikën e saj.

“Mos e përdorni më kurrë muzikën time. Gjithashtu, e vërteta juaj është e rreme,” shkroi këngëtarja. Komenti i saj nuk shfaqet më në postim.

Ky nuk është rasti i parë që Grande kundërshton publikisht përdorimin e këngëve të saj nga administrata Trump. Në qershor, ajo reagoi pasi Shtëpia e Bardhë përdori këngën e saj “Bye” në një video që promovonte politikat e administratës për emigracionin.

Në atë rast, këngëtarja kërkoi që muzika e saj të mos lidhej me ato politika, duke i cilësuar ato si “barbare” dhe “çnjerëzore”. Kënga u hoq më pas nga video.

Grande është një nga artistet e shumta që kanë kundërshtuar përdorimin e muzikës së tyre nga Trump dhe ekipi i tij. Mes tyre janë edhe Sabrina Carpenter, Katy Perry, Adele, Rihanna dhe Celine Dion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button