
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në Konferencën e Kryetarëve, tha se debati i fundit në Parlament ka treguar qartë mosrespektimin e Kushtetutës dhe shkeljen e të drejtave të opozitës nga mazhoranca.
Blushi kritikoi ashpër Taulant Ballën dhe përfaqësuesit e mazhorancës, duke i akuzuar për shkatërrimin e parlamentarizmit, për frikën që kanë nga aferat e tyre dhe për tentativat për të bllokuar mekanizmat kushtetues të opozitës, si mocioni për debat.
Sipas tij, refuzimi i kërkesës për mocion nuk është thjesht një veprim procedural, por një përpjekje e qëllimshme për të zhdukur debatet e hapura, për të kthyer Parlamentin në një mauzole pa zëra dhe pa diskutime reale, ku prezantohen vetëm mendimet e një grushti individësh që nuk përfaqësojnë qytetarët.
Blushi paralajmëroi se provokimet ndaj opozitës duhet të ndalen, dhe se vetëm duke pranuar debatet dhe përballjet me opozitën mund të ruhet legjitimiteti i Parlamentit dhe funksionimi i demokracisë.
Ai e përshkroi mocionin si “pasqyrën e dështimeve, korrupsionit dhe inkriminimit të Qeverisë dhe Edi Ramës”, duke theksuar se mazhoranca, me refuzimin e debatit, tregon frikën e saj nga ekspozimi i problemeve të thella që kanë krijuar vetë në vend.
Deklarata e plotë:
“Mocioni me debat është ‘pasqyra’ e dështimeve, korrupsionit dhe inkriminimit të Qeverisë dhe Edi Ramës. Nuk mund t’i mohoni opozitës mekanizmat e saj kushtetues.
Po prishni debatin, po shkatërroni parlamentarizmin, po shkelni Kushtetutën. Frika juaj është tmerri nga aferat që mbani mbi supe.
Refuzimi i kërkesës për mocion nga mazhoranca është përpjekje për të zhdukur një tjetër të drejtë kushtetuese të opozitës. Pranoni debatin dhe përballjen me opozitën dhe mos u shmangni me procedura.
Po vijoni të shkelni Kushtetutën dhe të thelloni paligjshmërinë. Po tentoni ta ktheni Parlamentin në mauzole, ku të ketë vetëm mumje që nuk flasin dhe ku të prezantohen vetëm mendimet e fantazmave si “Diella”.
Ndalni provokimet ndaj opozitës. Refuzimi i mocionit është dëshmia se edhe seancën e votimit të Qeverisë dhe programit e prisni qëllimisht, sepse i trembeni debatit.”












