Kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi, paralajmëroi sot se mund të ketë përshkallëzim të protestës së pedagogëve.
Ai nuk përjashtoi mundësinë për grevë urie, ndërsa tha se të hënën, 31 tetor, ora 11:00 pedagogët do të mbajnë protestë kombëtare para korpusit universitar.
“Të hënën protesta kombëtare para korpusit universitar, ora 11:00. Greva e urisë është kërkese e disa sindikalistëve, unë personalisht nuk e kam shprehur këtë dëshirë. Por mund të shkojmë deri në këtë fazë nëse nuk ka përgjigje nga qeveria. Duke qenë në këto kushte kur nuk ka pasur reagim deri tani, erdhëm në fazën e një bojkoti të deritanishëm, dhe tani i kemi dërguar kërkesë qeverisë, dhe të krijojë urën e komunikimit. Nuk duam të përdorim variantin e fundit, atë të grevës, por mund të përdoret për të ushtruar presionin e duhur mbi autoritetet për të reaguar në mënyrë konstruktive dhe ta kuptojnë rëndësinë e këtij bojkoti”, tha Kovaçi.
Kujtojmë se qeveria vendosi tu rrisë pagat pedagogëve me 7% nga buxheti i shtetit ndërsa këta të fundit e cilësuan këtë vendim qesharak.
Sa i përket shtesës prej 8% që sipas ministres së arsimit do të lëvrohet nga fondet e universiteteve pedagogët mendojnë se tarifat e studentëve duhet t’u kthehen atyre përmes shërbimeve dhe jo të shkojnë për paga.
Pak ditë më parë studentët i paraqitën një peticioni në Kryeministrisë ku kërkojnë që të ndihmohen financiarisht për shkak të krizës së çmimeve.