MAGAZINË

Channing Tatum rikthehet në tapetin e kuq pas lëndimit

Operacioni nuk e ndaloi Channing Tatum të parakalonte në tapetin e kuq. Aktori 45-vjeçar u shfaq së bashku me kolegen e tij Gemma Chan në premierën e filmit Josephine gjatë edicionit të 76-të të Berlin International Film Festival, të premten, më 20 shkurt.

Dalja e tij publike vjen vetëm një ditë pasi aktori ndau me ndjekësit një foto të shenjës nga operacioni i fundit në shpatull. Aktorii 21 Jump Street publikoi në Instagram disa imazhe me rreze X të krahut dhe shpatullës, ku dukeshin qartë dy kocka të dëmtuara.

Aktori i Magic Mike pranoi se fillimisht kishte menduar se ndërhyrja do të linte “dy vrima të vogla”.

“Nuk do të gënjej, është faji im që nuk pyeta. Mendova se do të ishin dy vrima të vogla. Mesa duket jo,” shkroi ai me shaka, duke shtuar se megjithatë i pëlqejnë shenjat dhe se po ndihet çdo ditë e më i fortë. Ai madje bëri humor edhe për vidën metalike në shpatull, duke thënë se tani kalimi në kontrollin e sigurisë në aeroport do të jetë gjithmonë një pikëpyetje.

Tatum nuk zbuloi se si ndodhi lëndimi në shpatull, por aktori është i njohur për faktin që realizon vetë shumë nga skenat e rrezikshme në filmat e tij. Në një intervistë të mëparshme, ai tregoi se ishte lënduar edhe gjatë xhirimeve të Avengers: Doomsday, i cili pritet të dalë në kinema në dhjetor 2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button