Një studim i ri sugjeron se dieta ketogjenike (keto) mund të jetë më e efektshme se dieta mesdhetare dhe dieta me përmbajtje të ulët yndyrash në reduktimin e yndyrës në mëlçi dhe në përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm.

Dieta ketogjenike (keto) është një regjim ushqimor me përmbajtje të ulët karbohidratesh, përmbajtje të lartë yndyrash dhe sasi të moderuar proteinash, i krijuar për të ndryshuar burimin kryesor të energjisë së organizmit nga glukoza (sheqeri) te ketonet (molekula të prodhuara nga yndyrat).

Në studim morën pjesë 42 të rritur që ishin mbipeshë ose obezë, kishin prediabet dhe vuanin nga sëmundja e mëlçisë së yndyrshme.

Ata u ndanë në tri grupe, ku secili grup ndoqi një dietë të ndryshme. Grupi i parë ndoqi dietën ketogjenike, e cila përmban shumë pak karbohidrate dhe më shumë yndyra.

Grupi i dytë ndoqi dietën mesdhetare, e cila përfshin një ekuilibër midis karbohidrateve dhe yndyrave të shëndetshme. Grupi i tretë ndoqi një dietë me përmbajtje të ulët yndyrash, të bazuar kryesisht në ushqime me origjinë bimore.

Për t’u siguruar që të gjithë ndiqnin dietën e caktuar, studiuesit siguruan të gjitha vaktet dhe organizuan takime javore me një dietolog. Sasia e ushqimit u përshtat për secilin person, në mënyrë që të gjithë të humbnin rreth 10% të peshës së tyre fillestare trupore.

Ky proces zgjati rreth katër deri në pesë muaj. Në përfundim të studimit, të tria grupet kishin humbur yndyrë trupore dhe kishin shfaqur përmirësime në mënyrën se si organizmi i tyre rregullonte nivelin e sheqerit në gjak.

Megjithatë, grupi që ndoqi dietën ketogjenike shfaqi përmirësimin më të madh në reduktimin e yndyrës në mëlçi. Personat që ndoqën dietën ketogjenike patën një reduktim mesatar prej 67% të yndyrës në mëlçi, ndërsa ata që ndoqën dietën mesdhetare dhe dietën me përmbajtje të ulët yndyrash patën një reduktim prej 45%.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se personat që ndoqën dietën ketogjenike kishin nivele më të larta të glukagonit dhe nivele më të ulëta të insulinës. Një tjetër gjetje interesante ishte se dieta ketogjenike ndihmoi më shumë persona të dilnin nga gjendja e prediabetit.

Në përfundim të studimit, rreth 50% e personave që ndoqën dietën ketogjenike nuk kishin më prediabet, krahasuar me 29% të atyre që ndoqën dietën mesdhetare dhe vetëm 7% të atyre që ndoqën dietën me përmbajtje të ulët yndyrash.

Nevojiten studime të mëtejshme, që përfshijnë grupe më të mëdha dhe periudha më të gjata ndjekjeje, për të përcaktuar nëse këto përfitime vazhdojnë me kalimin e kohës./DPA News

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts