Dygolësh nga Kylian Mbappe, Reali triumfon në ‘El Clasico’

Barcelona dështon edhe në provën e dytë të vështirë të sezonit. Pas humbjes ndaj PSG-së në Champions League, katalanasit mposhten edhe në “Camp Nou” nga Real Madridi, në një “El Clásico” që ngre pikëpyetje për forcën e vërtetë të skuadrës, pas startit spektakolar në kampionat. Dy gola të Kylian Mbappé i dhanë fitoren madrilenëve, ndërsa diferenca mes dy rivalëve në La Liga ngushtohet në vetëm tri pikë.
Real Madrid ka kaluar në avantazh 1-0 ndaj Barcelonës në minutën e 42-të të El Clásico-s. Kylian Mbappé ka gjetur rrugën e rrjetës, duke mposhtur portierin Andriy Lunin. Me fat francezi, pasi topi iu përplas në këmbë nga Gerard Martin, para se të përfundonte në rrjetë.
Barcelona kishte një mundësi të artë për të shënuar në minutën e 35-të, kur Anthony Gordon goditi drejt këndit të majtë të portës, por Lunin reagoi shkëlqyeshëm dhe shpëtoi madrilenët. Katalanasit fituan një goditje nga këndi në atë aksion, por nuk arritën ta shfrytëzonin.
Me golin e Mbappé, Real Madridi merr epërsinë në një moment të rëndësishëm, pak minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Pak pasi nisi pjesa e dytë, Raphinha barazoi rezultatin për Barcelonën! Pas një pasimi të shkurtër nga Pedri brenda zonës, braziliani shmang kundërshtarin me një lëvizje të shpejtë dhe lëshon një goditje të pandalshme pranë shtyllës së majtë. 1-1!
Real Madridi kalon në avantazh në minutën e 87-të! Kylian Mbappé dërgon topin në rrjetë nga shumë pranë portës, pas një pasimi të Eduardo Camavingës. Madrilenët përmbysin rezultatin dhe kalojnë në epërsi 2-1!












