Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETDyshimet/ Përfituan me tendera, SPAK sekuestron kompaninë “5D Konstruksion”

Dyshimet/ Përfituan me tendera, SPAK sekuestron kompaninë “5D Konstruksion”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar hetimet paraprake për procedimin penal nr.75, të vitit 2023, që bën fjalë për veprat penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike”, “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 257/a/2, 258/2, 244, 259/2 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Nga ana e organit procedues janë kryer veprime të mëtejshme hetimore për të përcaktuar shumat monetare që janë përfituar nga shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k. si rezultat i realizimit të kontratave publike të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e prokurimit publik, si dhe si rezultat i veprimeve të kundraligjshme që përbëjnë veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 259 të Kodit Penal.

Po kështu, janë kryer veprime hetimore për të verifikuar mënyrën e qarkullimit të shumave monetare që përbëjnë “produkt” të veprës penale, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar, si dhe destinacionin e shumave monetare të transferuara nga shoqëria tregtare në drejtim të subjekteve të tjera tregtare apo në drejtim të personave të tretë.

Nga veprime hetimore të kryera në këtë drejtim janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme. Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Pasi janë kryer veprimet hetimore të nevojshme Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në datën 24.06.2024, kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për disa pasuri që mundet të konfiskohen.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.388, datë 05.07.2024, ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme dhe caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasuritë si më poshtë:

Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases S.Q. dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases S.Q dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
Në datën 08.07.2024 policia gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kanë nisur veprimet përkatëse procedurale për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor të mësipërm, me qëllim marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara. Veprimet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë në proces dhe po vijojnë të kryhen edhe në ditën e sotme.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME