Fier: 13 mijë nxënës nisin vitn e ri shkollor, ulje e numrit të fëmijëve në klasën e parë

Fier dhe Mallakastër – Nis sot viti i ri shkollor 2025-2026 në Qarkun Fier, ku rreth 13 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës në të gjitha institucionet arsimore nën juridiksionin e ZVAP Fier. Prej tyre, afërsisht 900 nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ndërkohë që regjistrimet vijojnë të jenë të hapura.
Në Mallakastër, këtë vit do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës 63 fëmijë, në Patos 140, ndërsa në Rroskovec 190.
Shkollat janë deklaruar plotësisht të gatshme për të pritur nxënësit në ambientet e tyre, përfshirë edhe dy shkolla të rikonstruktuara, duke ofruar kushtet e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. Shpërndarja e librave është realizuar në kohë, duke siguruar që çdo nxënës të pajiset me tekstet shkollore. Paralelisht, vijon pajisja e shkollave me laboratorë bashkëkohorë dhe klasa SMARTLab.
Këtë vit nuk raportohet mungesë në stafin mësimor. Përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” është garantuar që çdo klasë të ketë mësuesin e saj që në ditën e parë të shkollës. Përveç stafit pedagogjik, pranë nxënësve do të jenë edhe oficerët e sigurisë dhe shërbimi psikosocial, për të siguruar mbështetje dhe një mjedis të sigurt.
Megjithatë, vihet re një ulje e ndjeshme e numrit të nxënësve në klasat e para. Në Patos, nga 250 nxënës që u ulën për herë të parë vitin e kaluar, këtë vit janë vetëm 140. E njëjta situatë është edhe në Roskovec, ku numri i nxënësve në klasën e parë ka rënë nga 194 vitin e kaluar në 155 këtë vit. Në total, numri i nxënësve në Roskovec këtë vit është 2,218, nga 2,265 që ishin vitin e kaluar. Ndërkohë, shkolla 9-vjeçare “Jorgo Sopiku” në Luar do të kalojë në statusin e shkollës vartëse.
Situata paraqitet më problematike në Mallakastër, ku në klasën e parë këtë vit do të ulen vetëm 64 nxënës, nga 93 që ishin vitin e kaluar. Edhe pse numri i nxënësve është reduktuar ndjeshëm, këtë vit nuk ka shkolla të mbyllura dhe nuk raportohet mungesë personeli.
Në kuadër të planit të posaçëm të masave për sigurinë, Policia e Shtetit ka qenë e pranishme pranë shkollave për të garantuar rendin, ndërsa bashkitë kanë ndërhyrë me mirëmbajtjen e ambienteve, dezinfektimin dhe lyerjen e vizave pranë shkollave.









