”Firmosur, vulosur dhe premtim i mbajtur”,-tha presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, njofton përmbylljen e suksesshme të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, me nënshkrimin e aktit ligjor të BE-së.
Qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen duke nisur nga 1 janari i vitit 2024, kur hyn në zbatim dhe sistemi ETIAS. Pas ceremonisë së nënshkrimit, përfaqësuesit e Kosovës dhe të parlamentit europian dolën në konferencë për shtyp për të konfirmuar se ky vendim i jep fund padrejtësive të viteve të fundit karshi shtetit të Ballkanit Perëndimor.
“Liberalizimi i vizave vjen me një sërë detyrimesh, si kufizimi i mjeteve financiare, dokumentet që duhet t’i kesh me vete, numrin maksimal të ditëve të qëndrimit. Do të kemi tetë muaj për t’i informuar qytetarët për të gjitha kufizimet”,-tha zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Hapi i radhës mbetet shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.