KRYESORESPORT

Gardiani i Apolonisë U-19/ Bega: Jam tifoz i Barcelonës. Idhull kam Ter Shtegen, priti 3 penallti dhe shënoi të fundit.

Portieri fierak, Henri Bega, të dielën ka qenë heroi i Apolonisë U-19 në Kupë. Ai pati një meritë të jashtëzakonshme me tri penalltitë e pritura si dhe me një të shënuar. Me golin e tij nga pika e bardhë, Bega i dha kualifikimin fierakëve, ku në gjysmëfinale të Kupës do të përballen me Teuta U-19.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Bega tregoi emocionet e këtij suksesi, si dhe foli për të ardhmen e tij, si dhe kë ka idhull në futboll.

Pritët tri penallti, si dhe morët vetë përsipër penalltinë e fundit, që e kthyet në gol dhe kualifikuat Apoloninë U-19. Ishte kjo një ndeshje dhe ditë e paharruar për Begën?

Ishte një ndeshje dhe ditë e paharruar, jo vetëm për mua, por për të gjithë ekipin. Një takim i luftuar, i barabartë në çdo cep të fushës dhe si i tillë, mendoj se ky kualifikim është historik dhe do të mbahet mend gjatë. Për mua ishte një ndeshje me ngarkesë të lartë emocionale, pasi kam qenë pjesë e ekipit të Partizanit dhe me atë staf e ata lojtarë kam kaluar një fazë përgatitore prej një muaji. Tri penalltinë e pritur dhe të fundit që e shënova ia dedikoj mbesës time të vogël, e cila është në muajin e dytë.

A kishit pritur më përpara tri penallti dhe si ia dolët këtë herë?

Unë jam portier që pres penallti dhe e kam bërë gjithnjë, por kurrë nuk më ka ndodhur të pres 3 në një ndeshje. Para 3-4 vitesh, kujtoj që kam pritur dy penallti dhe një tjetër është goditur jashtë ndaj “Football Republic”, ku shkuam në finale me Tiranën. Madje edhe këtë e mposhtëm dhe shkuam direkt në “Uefa Youth League”. Këtë herë ia dola dhe mendoj se kam bërë maksimumin duke treguar veten time. Ka qenë ndjesi e veçantë dhe shumë emocionuese për mua. Jam shumë i lumtur dhe më vjen mirë që i dhashë ekipit një dorë për të vijuar më tej në Kupë.

Shënuat edhe një penallti, atë të fundit më të rëndësishmen dhe kualifikuat më tej Apoloninë. Si e morët përsipër?

Të tregohem i sinqertë, penalltinë e fundit ia kam kërkuar vetë trajnerit. Isha me moral të lartë, shkak u bënë pritjet dhe kisha vetëbesim që do e ktheja në gol. Trajneri më besoi dhe këtë besim ia shpërbleva më së miri. Pas shënimit të golit, kam thënë tekstualisht: “Neira ky gol është për ty”. Neira është mbesa ime e vogël.

Ndeshjen e radhës e luani me Teutën. Si e shihni dhe çfarë synoni?

Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e barabartë, por jemi gati dhe më të bashkuar se kurrë për të fituar dhe shkuar në finale. E mira do jetë ta sigurojmë finalen brenda 90 minutave, por edhe po shkoi te penalltitë, jemi gati dhe do të fitojmë.

Cili është idhulli juaj në futboll?

Unë jam tifoz i Barcelonës dhe si i tillë, idhulli im në futboll është portieri gjerman, Mark Andre Ter Shtegen.

Po kaloni një moment të mirë, debutimin tek ekipi i parë e prisni të ndodhë këtë sezon, apo ky është një objektiv më vete?

Ky është objektivi dhe synimi im i afërt, që të debutoj me ekipin e parë këtë sezon. Këtë gjë e vendosin trajneri, së bashku me stafin e tij, dhe kur ata ta shohin të arsyeshme. E sigurt është që unë do të vazhdoj stërvitjen me dëshirë e seriozitet, dy herë në ditë, si me ekipin e parë, ashtu dhe me U-19.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button