
Mbyllja e aksit Librazhd–Prrenjas ka ndërprerë lidhjen kryesore të juglindjes me Tiranën, duke e detyruar trafikun të devijojë në rrugë të pasigurta, madje përmes Maqedonisë së Veriut, duke ofruar një tjetër provë të dështimit të infrastrukturës strategjike të vendit.
Bllokimi i plotë i aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas ka ndërprerë lidhjen më të shkurtër mes Tiranës dhe juglindjes së vendit, duke e detyruar qarkullimin të devijohet në itinerare të gjata dhe të vështira. Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH, konfirmoi mbylljen totale të trafikut pas përkeqësimit të situatës strukturore në segmentin problematik.
Prej dy ditësh lëvizja kryhej me një korsi, ndërsa aksi tashmë është i mbyllur plotësisht për shkak të zhvendosjes së trupit të rrugës dhe dëmtimeve në strukturën mbajtëse. Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, deklaroi se situata ka qenë nën monitorim prej javësh, por në 48 orët e fundit është konstatuar përkeqësim i ndjeshëm. “Jemi të detyruar të bllokojmë tërësisht trafikun. Ka një përkeqësim të vazhdueshëm. Në mëngjes ishte spostuar 27 cm, aktualisht është 29 cm. Poshtë urës po thërrmohet betoni, kështu që jemi të detyruar të bllokojmë totalisht rrugën edhe për mjetet normale”, u shpreh Kozeli.
Sipas tij, “parashikim për hapjen nuk mund të bëjmë”, ndërsa theksoi se ura “në këtë moment nuk shfaq siguri” dhe se shkaqet lidhen me karakterin ujëmbajtës të zonës.
Autoriteti Rrugor ka orientuar drejtuesit e mjeteve të përdorin itineraret e tjera, Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan, si dhe Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë. Natën e kaluar bllokimi i rrugës ka shkaktuar radhë të gjata dhe qindra mjete kanë mbetur të bllokuar. Madje për mjetet e tonazhit të rëndë, ose për mjete të tjera që ktheheshin nga Korça, Pogradeci apo zonat e tjera juglindore janë sugjeruar kalimi nga Maqedonia e Veriut për në Tiranë, më saktë pikat doganore të Qafë Thanës drejt Maqedonisë së Veriut dhe Bllatës përmes Rrugës së Arbërit.
Në praktikë, alternativa më e përdorur për qytetarët që udhëtojnë nga Tirana drejt Korçës mbetet segmenti Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh, por edhe ky aks, ndonëse i ndërtuar rishtas, ka pësuar shembje në disa segmente dhe aktualisht kalohet vetëm me një korsi. Kthesat e forta dhe pjerrtësia e terrenit e rrisin kohëzgjatjen e udhëtimit me të paktën një orë, duke shtuar koston dhe rrezikun e qarkullimit.
Aksi Librazhd–Prrenjas përbën segment kyç të Korridorit 8, projekti rajonal që synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Mbyllja e këtij segmenti e ndërpret përkohësisht boshtin kryesor lindje–perëndim në territorin shqiptar, duke e izoluar praktikisht juglindjen nga qendra dhe portet.
Në një reagim publik, Aranita Brahaj e Open Data Albania e cilësoi situatën si dështim strategjik. “Ne 48 oret e fundit Shqiperia ka mbetur zyrtarisht pa Korridor 8. Dhe flas per Korridor fizik jo per Propagandistik apo Korridor IA”. Sipas saj, degradimi i infrastrukturës dhe mungesa e alternativave funksionale cenon jo vetëm ekonominë, por edhe pozicionin gjeopolitik të vendit.
Në mesazhin në rrjetet sociale, Brahaj vijon me argumentin se “Është zhvillimi më i poshtër për Ekonominë dhe Gjeopolitikën. Opinioni im gjykon jo vetëm korrupsion por edhe tradhëti kombëtare!”, duke e parë ndërprerjen e tij si favorizim indirekt të korridoreve të tjera rajonale.
Çfarë dihet deri tani
ARRSH ka nisur procedurat për ndërtimin e një bypass-i provizor, por nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e punimeve. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një vlerësim teknik të plotë për kohëzgjatjen e ndërhyrjes, ndërsa trafiku mbetet i devijuar.
Fakti i konfirmuar është se segmenti Librazhd–Prrenjas, pjesë e boshtit kombëtar dhe rajonal lindje–perëndim, është jashtë funksionit. Për qytetarët e Korçës, Pogradecit dhe zonave përreth, kjo përkthehet në distanca më të gjata, kohë më të mëdha udhëtimi dhe kosto të shtuara.
Në mungesë të një afati zyrtar për rihapjen, juglindja e vendit mbetet për momentin e shkëputur nga arteria e saj kryesore rrugore, ndërsa Korridori 8 funksionon vetëm në letër./Lapsi.al











