Një finale me vlerë të dyfishtë: të paktën për Lionel Messi e Kylian Mbappe. Të dy kërkojnë Kupën për tu futur në histori, por duan edhe golat për Këpucën e Artë. Në kuotën e 5 golave, kush shënon më shumë se rivali merr trofeun. Franca megjithatë, duhet të bëjë llogaritë me “firot” e virusit. Lajmi i mirë te Argjentina, rikthimi i të skualifikuarve që munguan në gjysmëfinale.
SHUHET FRIKA PËR MESSI
Dy futbollistë argjentinas u detyruan të shikonin gjysmëfinalen me Kroacinë nga tv për shkak skualifikimi. Marcos Acuna dhe Gonzalo Montiel janë sërish në dispozicion të Scalonit dhe ky është lajmi i mirë. Montiel po lufton një betejë të humbur për t’i marrë vendin në të djathtë Nahuel Molina. Por Acuna mund të jetë i sigurt se do të zërë vendin e Nicolas Tagliafico në një prapavijë me katër lojtarë. Lisandro Martinez duket edhe një herë alternativë, për dëshpërimin e tifozëve të Manchester United. Argjentina duhet të bëjë llogaritë vetëm me një dyshim, formën e Alejandro Gomez, i cili nuk është plotësisht i rikuperuar nga ndrydhja e kaviljes. Sulmuesi, në rastin më të mirë, do të ulet në pankinë.
Ai që drithëroi zemrat argjentinase ishte kur Messi u fotografua duke prekur muskujt e kofshës. Gjithësesi, nuk ka asgjë që të sugjerojë se sulmuesi veteran nuk do të jetë në gjendje të zbresë në fushë. Messi me këtë prezencë do të bëhet rekordmeni për më shumë paraqitje në Kupën e Botës, me 26. Një ndryshim formacioni mund ta shohë atë të bashkohet me një tjetër yll të Albiceleste Angel Di Maria. Gjaknxehti Leandro Paredes do të ishte fatkeqi që do të ulej në pankinë, nëse Di Maria do të preferohet nga minuta e parë.
VIRUSI “SAKATON” FRANCËN
Ajri i kondicionuar në Katar, apo virusi i pretenduar, nxorri jashtë loje Dayot Upamecano dhe Adrien Rabiot. Atyre iu bashkua Kingsley Coman dhe tani thuhet se i sëmurë është edhe Raphael Varane dhe Ibrahima Konate. Të pesë lojtarët thuhet se janë kthyer për stërvitje gjatë fundjavës, por me sistemin e tyre imunitar që punon jashtë orarit, mjekët e Bleus duhet të japin aprovimin në minutën e fundit. Rabiot dhe Upamecano ndihen më mirë dhe duhet të aplikojnë për formacionin titullar. Juventini do të kthejë në pankinë Youssouf Fofana, por Deschamps ka më shumë problem prapavijën. Konate meritoi vlerësime të larta për performancën e tij kundër Marokut, por raportohet se ndihet më keq se Varane.
Kështu që Deschamps pritet të rikthejë Upamecano në formulën e tij të provuar dhe të testuar. Mbrojtësi i majtë Theo Hernandez mori një goditje në gju kundër Marokut, por kjo nuk pritet të rrezikojë vendin e tij në formacionin titullar në finale. Kylian Mbappe do të rifillojë betejën e tij individuale me Messi, të dy me pesë gola e në kërkim të Këpucës së Artë. 23-vjeçari do të bëhej lojtari më i ri ndonjëherë që ka shënuar në më shumë se një finale të Kupës së Botës. Për ta bërë duhet të shënojë ndaj një skuadre si Argjentina. E ka nevojë për shërbimet e Antoine Griezmann, që ka krijuar 21 shanse për shokët e tij në turne.