Friday, November 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËKATËR ERIONË DHE NJË VELIAJ

KATËR ERIONË DHE NJË VELIAJ

Nga Agim Xhafka – Sot udhëtova nga Ohri drejt Orikumit. Në mëngjes, sa i thashë mirëutakofshim recepsionistit të hotelit, më ze rrugën një makinë e Shqipërisë. Bëhu pak më anash, i thashë, sa të kaloj. Më pa sikur isha vrasësi i babait të tij. Mos bëj fjalë, të lutem, më tha gruaja. Po zieja, por heshta. Prita e pas plot 18 minutash erdhi zonja e tij, vendosi valixhen prapa, mbylli bagazhin e ata u nisën. Ne pas tyre. Në kufi, në Qafë Thanë radhë e madhe makinash. U futëm dhe ne në atë varg. Kur anash si predhë kalon një Benz i madh e na del para. Nuk durova, hapa derën e i bërtita policit. Por ai as më ktheu kokën. Një burrë ngjitur me makinën time më këshilloi të mos merrem me mafiozët. S’e sheh, duket qysh larg që është bandit, më tha. Hyra në makinë. Poshtë qafës ka plot lavazhe. Një çun i ri mbante një tub uji në dorë e lagte gjithë makinat që kalonin. E kishte si ftesë për t’u larë. I rashë borisë, i bërtita ta largonte ujin, por tamam në fund të fjalisë ma hodhi m’u para xhamit të parë. Ndala, desha të zbrisja, kur m’u afrua një çun, shoku i vet e më tha, lere se ka pirë ca dopio. Heshta, ika përpara.

Në rrugën e metalurgjikut në Elbasan më parakalon një fuoristradë tamam atje ku tabela e ndalon, por për fat të keq i del para një maune e nga që s’kish ku të shkonte ngjitet me mua. U shmanga, gati dola nga rruga. U nxeha, por nuk i fola se iku si predhë, më la glasën thuhet në këto raste.

Ndëkohë në radio dëgjova se po rriten gjithë çmimet, por më ra plumb në kokë, do na u rritka në Tiranë dhe çmimi i asaj që nuk e kemi hiç, çmimi i ujit pra.

-Çfarë populli jemi kështu? Ujë s’pikon në rubinet e çmimin e rritin. Veliaj as që merr mundimin të bëjë transparencë të problemit. Jemi pasivë sa më s’ka,- foli gruaja.
Aty nuk durova më, fola, por i nxehur.

-Pasivin gjithkush ta kërkojë te vetja,- ia nisa.- Katër Erionë na e nxinë sot jetën. Sa u nisëm një Erion na zuri rrugën. Hesht, më the. Në kufi hyri një Erion pa radhë. Lere se është i mafies, më tha dikush. Një Erion na lagu me ujë. Heshtëm se ishte i dehur. Tani Erioni i fuoristradës për pak na çoi në Sharrë e nuk ndaloi as të na shihte se mos kishim nevojë për mjek. Kështu jemi si popull. I vemë drynin gojës e Erionët bëhen bashkë, prodhojnë monstrën Veliaj që na rrit taksat, na shtrenjton biletën e urbanit, shton për pensionistët një pagesë që e quan shkollore, rrjep troje e jep koncesione. Po na merr dhe diellin me kulla, ulla, ulla. Quan qenër të gjithë ata që duan informacion për aferat e tij. Askush nuk ngrihet, askush nuk flet se sharra nuk na ka mberritur ende në kockë. Por po e hëngrëm këtë herë atëhere bast që ai do na shesë dhe ajrin që thithim. E do na i quajë oksigjen pylli, jo helm Tirane.

Doja të vazhdoja, por e pashë që po grija kot. Ajo kishte vënë kufjet, dëgjonte Rita Orën. Bjeri legenit byrazer, i dhashë zemër vetes. Ndaj i rashë borisë kot. Kot or kot, që të merresha gjoja me diçka…

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME