Grupi i senatorëve që e shohin veten të përjashtuar nga zgjedhjet e vitit 2025, nuk do të ikin pa sherr, e për këtë duket është përpiluar një strategji e plotë…
Abstenimet e Pandeli Majkos dhe Fatmir Xhafajt për ligjin e kanabisit në Komisionin e Ligjeve, thjesht kanë prerë shiritin e luftës së madhe që ka nisur brenda Partisë Socialiste.
Edi Rama, nuk e ka më kontrollin e situatës, e sipas gjasave i ka humbur numrat në mënyrë përfundimtare. Gjasat janë që rrëzimi i nismës për legalizimin e kanabisit në seancën plenare të shënojë edhe fillimin zyrtar të luftës, që tani do të zhvillohet e nxehtë dhe me beteja të përditshme.
Një grup i madh deputetësh nuk i kanë dhënë ‘OK!’ Ramës për Taulant Ballën ministër i Brendshëm, siç nuk i kanë mbështetur emërimin e marionetave në krye të grupit parlamentar të PS-së
Përplasja verbale mes Xhafajt me Braçen, nuk kishte të bënte me asgjë tjetër veçse me detyrën që duket se ka marrë ish-ministri i Brendshëm si kreu i një korrenti të fortë brenda Partisë Socialiste. Korent, që siç mësohet ka një numër të rëndësishëm parlamentarësh që përfaqësojnë PS-në tradicionale dhe kanë paraqitur një grup kërkesash të qarta e të panegociueshme për Edi Ramën.
Ky grup që do të zyrtarizohet edhe në formën e një memorandumi politik, pritet që të kërkojë ringjalljen e të gjitha forumeve të PS-së nga qendra në bazë, e të jenë ata vendimarrëse për zgjedhjet, politikat dhe emërimet që bëhen si në drejtoritë lokale, ashtu edhe në ata qendrore.
Para pak kohësh, në një intervistë televizive, Fatmir Xhafaj deklaroi se nuk do të pranojë ‘make- up’ në qeveri, por një ndryshim të plotë e politik të ekipit qeverisës. Frazë, që duket se është thënë kur po piqej emërimi i Taulant Ballës, si një kozmetikë politike e kabinetit teknik të Edi Ramës, ku të gjithë të tjerët janë thjesht matrioshka që nuk lëvizin pa dorën e bablokut.
E kjo përforcon faktin se edhe kur të votohet dekreti i Presidentit Bajram Begaj për Taulant Ballën, ka gjasa që të ketë një qëndrim të qartë kundër. E pikërisht për këtë ka dështuar mbledhja e grupit parlamentar të PS-së prej ditësh.
Senatorët nuk kanë pranuar që të mbahet mbledhja pa praninë e Edi Ramës, i cili është zhdukur pa gjurmë, pikërisht për t’ju shmangur deputetëve të tij, por edhe publikut.
Rama po tenton që të përfitojë kohë, me taktikën e tij që “tre ditë zgjat çudia”, por tani koha është kthyer kundër tij. Sa më shumë ikin ditët, aq më shumë edhe fuqia e kryeministrit zbehet. Vota për Taulant Ballën të hënën është një votë politike, e cila ndan qartë se ç’do të ndodhë në PS; nëse deputetët rebelë do të votojnë dekretin pa zhurmë, do të thotë se është zhvilluar një negociatë, ndryshe ata nuk do të jenë më pjesë e partisë, duke krijuar një shizmë të re. E cila do të jetë edhe fundi politik i Edi Ramës.
Por shpallja e saj, pritej që të zhvillohej pas një hetimi të SPAK kundër Sali Berishës e Ilir Metës, në mënyrë që një manovër e tyre të mos forconte elitën e vjetër. Të paktën si perceptim, pasi gjasat në rebelimin e ri të senatorëve janë që të ketë një koordinim e shtytje të fortë ndërkombëtare. E pikërisht këtë ka marrë vesh Edi Rama që e sheh veten shah me zbulim, me kufizim shumë të madh figurash. Ku të paktën deri tani nuk ka asnjë mundësi për lëvizje të paparashikuar. Përveç të sulmojë publikisht rebelët, në mënyrë që të mos e lërë vetën në mbrojtje. E sinjalet janë ta nisë para të hënës me sulme mediatike të porositura.
Pamfleti