Çmimet e naftës po i afrohen nivelit 200 lekë për litër. Ditët e fundit çmimi në tregun vendas me 5 lekë për litër, për të katërtën herë radhazi brenda pak javësh.
Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh i tregtimit me pakicë dhe shumicë në vend, një litër naftë tregtohet me 197 lekë, nga 192 lekë që ishte pak ditë më parë. Benzina shitet me 199 lekë, nga 196 lekë që ishte më parë. Në pikat e tjera çmimi i naftës ishte më i lartë. Kompania Bolv Oil po e shet një litër naftë aktualisht me 199 lekë për litër.
Që nga 15 korriku, kur filloi shtrenjtimi, nafta është rritur gjithsej me 21 lekë për litër (katër herë gjithsej), duke arritur në nivelin më të lartë që nga mesi i marsit të këtij viti. (shiko grafikun: Çmimet e naftës në tregun vendas të pakicës. janar 2022-13 gusht 2023).
Para se të fillonte shtrenjtimi, kishte zbritur në 179 lekë. https://www.monitor.al/rriten-serish-cmimet-nafta-shtrenjtohet-me-8-9-leke-per-liter-brenda-pak-diteshu/.
Operatorët e tregut pohojnë se tendenca është e lidhur me shtrenjtimin e karburantit në bursë, ku treguesi Platts, që merret si referencë nga importuesit shqiptarë, u mbyll të premten me 940 dollarë ton, që është niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2022 dhe tendenca duket për shtrenjtim të mëtejshëm drejt 1000 dollarëve.
Sipas Financial Times çmimi i naftës në bursa arriti dje në 85.3 USD për 74 dollarë që ishte në korrik.
Taksat mbajnë naftën e lartë
Operatorët e tregut pohojnë se krahas shtrenjtimit në bursa, një tjetër faktor që i mban çmimet e larta në vend është barra e lartë e taksave që rëndojnë mbi naftën, që arrin në mbi 60% të çmimet.
Përveç TVSH-së, akcizës e taksës së qarkullimit, rreth 8 lekë të tjera për litër shkojnë për taksa të tilla si markim, skanim, kolaudim, rilicencim, që në pjesën më të madhe kanë rezultuar të panevojshme.
Vetëm ditët e fundit qeveria vendosi të shtyjë edhe për një vit kontratën e markimit të karburanteve, që ka një kosto, që paguhet në çmim nga konsumatorët prej rreth 7-8 milionë euro në vit./Monitor