
Aktori i njohur dhe fituesi i çmimit Oscar, Robert Duvall, është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare. Lajmin e konfirmoi bashkëshortja e tij, Luciana Duvall, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.
“Dje i dhamë lamtumirën bashkëshortit tim të dashur, mikut tim më të mirë dhe një prej aktorëve më të mëdhenj të kohës sonë. U nda nga jeta në paqe, në shtëpi, i rrethuar nga dashuria dhe ngrohtësia,” shkroi ajo.
Me një karrierë që shtrihet në shtatë dekada, Duvall konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë amerikane. Ai u bë i njohur për publikun e gjerë me rolin e Tom Hagen në filmin ikonik The Godfather (1972), për të cilin mori nominimin e tij të parë për Oscar. Ai e ripërsëriti rolin edhe në vazhdimin The Godfather Part II.
Duvall fitoi çmimin Oscar për Aktorin më të Mirë në vitin 1984 për rolin e tij në Tender Mercies, ku interpretoi një këngëtar country në luftë me varësinë nga alkooli. Gjatë karrierës së tij, ai u nominua gjithsej shtatë herë për çmimet Oscar.
Përveç sukseseve në kinematografi, Duvall pati një karrierë të pasur edhe në televizion, duke fituar dy çmime Emmy për miniserinë “Broken Trail”.
I lindur më 5 janar 1931 në San Diego, ai u rrit në Maryland dhe studioi aktrim në Nju Jork, ku ndau fillimet e karrierës me emra të mëdhenj si Dustin Hoffman dhe Gene Hackman.
Në jetën private, Robert Duvall ishte i martuar katër herë dhe nuk pati fëmijë. Që nga viti 2005 ishte i martuar me aktoren dhe regjisoren argjentinase Luciana Duvall.









