Nisje perfekte për Arbër Hoxhën, tund rrjetën me Dinamon e Zagrebit

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, e ka nisur sezonin e ri në Kroaci me gol, duke ndihmuar Dinamon e Zagrebit të marrë një fitore të thellë 4-0 ndaj Rudešit, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të kampionatit.
27-vjeçari e nisi sfidën si titullar dhe realizoi në minutën e 63-të, duke kompletuar një paraqitje mjaft pozitive. Hoxha ishte ndër lojtarët më të spikatur të takimit, duke treguar formë të mirë dhe duke dhënë sinjale pozitive për vazhdimin e sezonit.
Dinamo e Zagrebit e ndërtoi fitoren përmes golave të Dion Drena Beljos, Lukas Kaçavendës dhe Arbër Hoxhës, ndërsa Beljo shënoi gjithashtu nga pika e bardhë e penalltisë.
Ky është goli i parë i Hoxhës për këtë sezon dhe një nisje e rëndësishme për sulmuesin shqiptar, i cili synon të fitojë një rol sa më të rëndësishëm në formacionin e Dinamos.
Paraqitja e tij është një sinjal pozitiv edhe për Kombëtaren shqiptare, teksa Hoxha synon të ruajë ritmin dhe formën e mirë edhe me fanellën kuqezi.
Me golin ndaj Rudešit, Arbër Hoxha e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.








