Pasi fituan logon në gjykatë, grupimi që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha do të mbetet vetëm mediatikisht dhe ligjërisht në proces zgjedhje, sepse Berisha ka refuzuar ofertën për t’i nxjerrë bashkë kandidatët e dalë nga primaret për 14 Maj.
Berisha refuzoi një bashkëpunim të mundshëm me Enkelejd Alibeajn dhe Lulzim Bashën duke i quajtur pengje të Ramës.
“Alibasha është një peng i Ramës dhe duhet ta ketë të qartë çdo njeri që me pengjet nuk negociohet kurrë. Po të jetë për të negociuar, logjika thotë se duhet negociuar me pengmarrësin, por kjo nuk do ndodhë kurrë ndonjëherë. Ata që mendojnë se me vulën e plaçkitur të Edi Ramës, mund të bëjnë Pazar me ne, dëshmojnë turpin e tyre. Ndaj Brava dhe Alibasha janë dy pengje me të cilët nuk mund të ketë asnjë lloj negociate” u shpreh Berisha.
Gjykata dhe KQZ vendosën në favor të Alibeajt për logon dhe vulën e Partisë Demokratike, por me afrimin e zgjedhjeve këtij grupimi në PD i mungojnë kandidatët dhe strukturat e nevojshme për të qenë faktor në zgjedhje.