AKTUALITET

“Pastrim parash” 1 mln euro/ Sekuestrohet “Empire Investment” e Elisabeta Dostit, u tentua shitja e aksioneve në SHBA

Nga Boldnews.al

Gjykata e Tiranës ka vendosur nën sekuestro shoqërinë “Empire Investment Solution”, e lidhur me biznesmenen Elisabeta Dosti, dhe e dyshuar si e përfshirë në një skemë pastrimi parash me vlerë 1 milionë euro, pas tentativës për tjetërsimin e aksioneve të shoqërisë në një subjekt tregtar të regjistruar në Nju Jork dhe që zotërohet nga vajza e saj, Romina Dosti.

Sipërmarrësja Dosti u vendos nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në fund të nëntorit 2025, pasi Prokuroria e Tiranës dyshon se ajo ka konsumuar veprën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”, nëpërmjet një serie transaksionesh me kompanitë e zotëruara prej saj.

Në foto: Sipërmarrësja Elisabeta Dosti

Ajo u lirua në fund të dhjetorit 2025, duke paguar një garanci pasurore, ndërkohë që prokuroria po vijonte hetimet.

Në qendër të skemës së dyshuar është shoqëria “Empire Investment Solution”, e themeluar nga Elisabeta Dosti në vitin 2013, me emrin fillestar “Ela-Ela Trouble” shpk. Në vitin 2015, themeluesja ia dhuroi aksionet të bijës, Romina Dosti.

Pasi gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë për të ëmën, Romina Dosti ka nisur veprimet për tjetërsimin e aksioneve, duke i kaluar nga njëra dorë e saj, në dorën tjetër.

Në 13 Shkurt 2026, Romina Dosti vendos të dhurojë të gjithë aksionet e shoqërisë “Empire Investment Solution” tek një kompani amerikane, “First American Global Group”.

Në foto: Vendimi për transferimin e kuotave të “Empire Investment Solution” nga Romina Dosti tek “First American Global Group” LLC e Romina Dostit

Të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se aksioneri i, i regjistruar në Nju Jork, është në pronësi po të Romina Dostit.

Ky transaksion nga Romina tek Romina duket se është vlerësuar i dyshimtë nga Prokuroria e Tiranës, e cila, në mes të marsit të këtij viti, ka dërguar në gjykatë kërkesën për caktimin e masës “sekuestro preventive” për shoqërinë “Empire Investment Solution”.

Gjykata e kryeqytetit, me një vendim të datës 20 mars 2026, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur:“Caktimin e masës së sigurimit personal pasuror “Sekuestro Preventive” parashikuar nga Neni 274 i K.Pr. Penale mbi kuotat/aktivet duke përfshirë: pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie apo të drejta të tjera reale që rrjedhin nga kontratat e lidhura me pasuritë e paluajtshme në pronësi të personit nën hetim “Empire Investment Solution” shpk me Nipt L32105030V”.

Skema e dyshuar 1 mln euro

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimit mbi bazën e dy shtetasve, të cilat rezultojnë aksionere në minorancë në një ish-ndërmarrje publike “Prodhim Veshje nr.2” Tiranë”, e cila pas privatizimit kishte aksionere kryesore Elisabeta Dostin.

Në 7 Shkurt 2025, një 75-vjeçare, Xhevrije G., dikur teknologe dhe më pas aksionere e vogël në shoqërinë ish-publike, “Prodhim Veshje nr.2” Tiranë, ngjit ngadalë shkallët e Prokurorisë së Tiranës.

Ajo ndihej e mashtruar nga aksionerja kryesore, njëkohësisht edhe administratorja e kompanisë, Elisabeta Dosti. Xhevrija deklaroi para grupit hetimor se biznesmenia Dosti kishte përfituar shuma të konsiderueshme nga qiradhënia e ambjenteve të ish-ndërmarrjes së Prodhim-Veshje nr.2, në Tiranë, madje edhe kishte shitur prona të përbashkëta, pa ndarë asnjë fitim me rreth 70 aksionerët e tjerë.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet dhe, pas më shumë se 7 muajsh, arriti në konkluzionin paraprak se Elisabeta Dosti kishte ndërtuar një rrjet për transferimin e aseteve të kompanisë me shumë ortakë, tek një tjetër shoqëri private, e krijuar fillimisht prej saj dhe më tej të transferuar tek e bija, Romina Dosti.

“Bingo 1 mln euro”

Prokuroria e Tiranës thotë se, bazuar në kontratat e administruara, ka rezultuar se që nga koha e transferimit të aseteve të paluajtshme nga shoqëria “Prodhim Veshje Nr. 2” sh.a. tek shoqëria “EIS” sh.p.k. me ortak të vetëm Elisabeta Dosti, “kjo e fundit nëpërmjet kontratave të qerasë, shitjes dhe të sipërmarrjes ka përfituar të ardhura të konsiderueshme duke shmangur aksionerët e tjerë që zotërojnë 6 % të aksioneve”.

Në foto: Pjesë nga dosja gjyqësore

Prokuroria ka konstatuar se “Empire Investment Solution-EIS” shpk e Elisabeta Dostit, krahas kontratave të qirave, ka nënshkruar edhe të paktën një kontratë shitjeje, me vlerën e një “bingoje” të vërtetë.

“Shoqëria “EIS” sh.p.k. ka lidhur kontratë shitje Nr. 7871 Rep., Nr. 3133 Kol., datë 18.12.2019 sipas së cilës i ka shitur shoqërisë “Evita” sh.p.k. kundrejt vlerës 1 000 000 euro pasuritë Nr. 2./335, Nr. 2/336 dhe Nr. 2/338”, thuhet në dosjen hetimore, të konsultuar nga “Boldnews.al”.

Kompania blerëse, “Evita” shpk është e lidhur me shumë fije me biznesmenin e spitaleve private, Klodian Allajbeu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button