Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 33-vjeçare shqiptare në Omonia ka përjetuar ditë tmerri. Një 27-vjeçar palestinez dyshohet se e ka rrahur, e ka goditur me thikë, e ka përdhunuar dhe më pas e ka lidhur dhe e ka lënë të mbyllur në një ndërtesë e braktisur.
Historia e horrorit për Gabriela Çelajn nga Kuçova nisi të zbardhet mesditën e së hënës së kaluar, kur oficerët e policisë së DIAS-it, duke kaluar nëpër kryqëzimin e rrugëve Sokratous dhe Xouthou, në Athinë, gjatë një kontrolli fizik i gjetën 27-vjeçarit, Mohammad Odi një thikë me vete. Më pas i riu u vu në pranga. Në të njëjtën ditë rreth gjashtë orë më vonë, oficerët e policisë, duke kaluar nëpër rrugën Xouthou në Athinë, dëgjuan një person që thërriste për ndihmë nga një ndërtesë në dukje e braktisur.
Policia ka shkuar menjëherë në katin e 1 të pallatit, nga ku kanë ardhur thirrjet për ndihmë, ku ka konstatuar një derë të mbyllur me dry. Punonjësit e policisë thyen drynin dhe pasi u futën në ambientet e brendshme, gjetën në krevat 33-vjeçaren të lidhur me pranga në të gjitha gjymtyrët dhe me plagë në kokë dhe në të gjithë trupin. Shqiptarja kishte po ashtu një plagë me thikë në kofshën e majtë. Pas dëshmisë së saj para hetuesve u konstatua se 27-vjeçari ishte autori i torturës ndaj shqiptares. Kjo e fundit u dërgua në spital ku mori dhe ndihmën e nevojshme mjekësore, shkruajnë mediat greke.
33-vjeçarja ka treguar para hetuesve se nuk e njihte 27-vjeçarin dhe se për herë të parë e ka takuar të hënën, pasi kishin rënë dakord të shkonin në shtëpinë e tij për të kryer marrëdhënie seksuale. Pasi gruaja ka hyrë në shtëpinë e tij, 27-vjeçari e ka sulmuar atë, duke e rrahur dhe detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj, gjatë së cilës ai ka vazhduar ta rrahë dhe që nga ai moment nuk mban mend asgjë.