Tradita e suksesit në boksin profesionist vazhdon për qytetin e Fierit. Pas triumfeve të disa boksierëve Fierakë në arenën ndërkombëtare, një tjetër boksier fierak, Aleksandër Kallashi, po shkëlqen në ring, i stërvitur nga trajneri i njohur Marsel Dhima.
Aleksandër Kallashi është ndeshur më 20 korrik në Maqedoninë e Veriut kundër një boksieri të kalibrit të lartë nga Venezuela. Në këtë përballje, Kallashi triumfoi bindshëm pas 8 raundeve, duke shënuar një fitore të rëndësishme në karrierën e tij.
Pas këtij suksesi, Kallashi ka fituar të drejtën për të garuar për titullin europian EUB, një arritje e rrallë për boksierët shqiptarë. Sipas renditjes së Federatës Botërore të Boksit, BOXREC, i riu fierak renditet ndër 200 boksierët më të mirë në botë.
Kjo arritje është një dëshmi e përkushtimit dhe talentit të Aleksandër Kallashit, si dhe një frymëzim për të gjithë boksierët e rinj shqiptarë që aspirojnë të ndjekin rrugën e tij.