Ulen temperaturat, priten reshje dëbore në fundjavë
Ditën e shtunë do të vijojmë të kemi paqëndrueshmëri me mot të vranët dhe reshje shiu me intensitet të ulët lokale, ndërsa në veri e pjesërisht në qendër nuk do të mungojnë shtrëngata të herëpashershme afatshkurtra.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, nesër kemi depërtimin e masave ajrore veriperëndimore, të cilat do të ndikojnë dhe në rënien e temperaturave në vlerat maksimale duke bërë që të lëmë pas këto temperature relativisht të buta që kanë arritur deri 18°C gjatë këtyre ditëve. Nesër temperaturat maksimale nuk pritet t’i kalojnë 15°C.
Ndërkohë një ndryshim komplet i situatës parashikohet ditën e diel, ku reshjet e shiut do të jenë prezente prej orëve të para të 24 orëshit në të gjithë vendin me intensitet mesatar, dhe në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë ditës. Në intervale të shkurtra kohore pjesërisht në veri dhe në jugperëndim parashikohen reshje me intensitet deri të lartë në formën e stuhive.
Reshjet e dëborës do të rikthehen, në Alpe dhe relievet malore veri-verilindje-juglindje të vendit në lartësitë mbi 600-700metër me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.
Mjegulla e dendur lokale dhe mjegullina do të jenë prezente në momentin e reshjeve të shiut, gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes po ashtu ngrica përgjatë akseve rrugore, pasi tashmë të dielën do të kemi dhe rënie të ndjeshme temperaturash ku vlerat minimale pritet të regjistrohen -6°C në zonat malore.
Vlen për tu theksuar si problematik elementi i erës gjatë ditës së diel, ku pritet të intensifikohet me drejtim verilindje-veri me shpejtësi mesatare 4-16m/sek, ndërsa në lugina dhe sidomos bregdetin verior do të arrijë 15-25m/sek. Valëzimi në dete gjithashtu do të jetë i lartë I forcës 4-5ballë.