Dje është zhvilluar mbledhja e Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike, e thirrur nga Gazment Bardhi.
Në mbledhjen që zgjati rreth 1 orë dhe u drejtua online nga Gazment Bardhi është vendosur të anulohen zgjedhjet e datës 29 Korrik 2023, duke e konsideruar procesin antistatutor dhe farsë.
Gjithashtu, në mbledhje është pranuar dorëheqja e Lulzim Bashës e datës 21 Mars 2022 dhe e Enkelejd Alibeajt, që mban datën 17 Maj 2023.
Mësohet gjithashtu se në mbledhje është vendosur që një grup deputetësh të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin.
Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lartë drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD, Lulzim Basha nga regjistri i partive politike, bazuar edhe në vendimin e KAS për dorëheqjen e tij, që është lënë në fuqi nga gjykata.
Pas pranimit të dorëheqjes së Alibejat dhe Bashës, Këshilli shtyu për në një mbledhje tjetër vlerësimi mbi dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, të cilët i qëndrojnë dorëheqjes së tyre edhe pse dorëheqjet e tyre nga ana e Këshillit nuk u konsideruan si të parevokueshme.
Gjithashtu, Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë nga funksioni Kryesinë e Partisë Demokratike. Sipas Këshillit të PD-së, vendimet dhe qëndrimet e marra nga kryesia e partisë duke filluar nga data 6 Qershor e këtij viti janë antistatutore, të marra pa korum dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin përçarjen dhe dobësimin e partisë.
Këshilli pretendon se aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Bazuar në këto pretendime, është vendosur pezullimi i Kryesisë deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj.