Sali Berisha mblodhi pasditen e së premtes, Këshillin Kombëtar së Partisë Demokratike që drejtohet prej tij. BalkanWeb raporton se Berisha u ka dhënë disa porosi “të tijve”. Berisha ka deklaruar se beteja ndaj qeverisë do të vazhdojë dhe se mund të ketë edhe burgosje e sakrifica, por se nuk kanë rrugë tjetër.
“Protesta e deputeteve mund te shkonte deri ne greve urie. Me Ramën zgjedhje nuk ka. Ai ka krijuar mekanizmat për manipulimin e votave. Në parlament na shndërroi si njerëzit pa asnjë rol. Nuk na lejonte asnjë lloj aktiviteti. Komisionet hetimore s’na i lejonte. Përveç mandateve që vjedh dhe nuk lejon rotacion, ai do te zhvlerësojë deputetët.
Ne do e vazhdojmë betejën në Kuvend. Ramës do t’i bëjmë betejë në çdo skaj të vendit. Do kemi burgosje, sakrifica, por s’kemi rrugë tjetër veç betejës. Nuk bëhemi shumë pa nisur beteja. Kemi qëndruar 2 muaj 500 vetë dikur në Bulevard. Merita juaj është të mendojë për reagim ndaj regjimit. Akuzat ndaj meje, pasi reaguam në Kuvend. Ta kemi të qartë, nuk ka kthim pas deri në realizimin e qëllimit”, – mësohet të ketë thënë Berisha.
Ndërsa deputetët Edi Paloka dhe Bujar Leskaj kanë bërë thirrje për protesta dhe kanë propozuar që rezoluta e hartuar nga ta, të çohet në të gjitha ambasadat në vend.
“Këshilli Kombëtar duhet të jetë në pararojë të aksionit. Ne duhet të jemi në ballë të takimeve. Nuk duhet të kemi iluzion se Rama nuk i ka trembur njerëzit me këto akte. Ndaj duhet te dalim ne, që të na mbështesin qytetaret. Siç tha Berisha ne kemi bërë protesta dhe më pak njerëz dikur.
500 veta ishim. Na burgosën, si strategji e tyre për të na trembur. Kemi qene në situata jo të lehta, por fituam zgjedhjet. Të dalim ne të parët, t’i japim njerëzve shpresë dhe guxim”, – mësohet të ketë thënë Edi Paloka.
“Të takojmë strukturat sipas degëve ku jemi të caktuar. Aksioni opozitar ka vijuar në Parlament dhe do vijojë” – ka thënë Leskaj.
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratonjë rezolutë ku theksohet se Shqipëria ndodhet nën regjimin autokratik të Edi Ramës, duke vendosur tashmë kontrollin e plotë mbi çdo qelizë të shtetit, mbi pushtetin legjislativ, gjyqësor, ekonominë dhe mediat e vendit. Në këtë rezolutë, PD-ja ka bërë thirrje për mbrojtjen e pluralizmit politik parlamentar si dhe për bashkimin e të gjithë demokratëve dhe shqiptarëve për të rrëzuar këtë qeveri.
Vetë Berisha deklaroi se Edi Rama kërkon që të asgjësojë opozitën, ndërsa e krahasoi atë me diktatorit Enver Hoxha. Berisha tha se nëse Hoxha e rrëzoi opozitën me plumba, Rama pavarësisht përpjekje të tij, (jo me plumba), nuk ia ka dalë sipas ish-kryeministrit. Ai tha se arsyeja se përse u shpall non-grata dhe dhëndri i tij u arrestua, është për shkak se nuk pranoi propozimin e Ramës në 2021, për bashkëqeverisje.