101 ditë protestë, dhunë para Parlamentit

Është mbyllur protesta e 101-të kundër qeverisë. Protesta u mbyll tek kryqëzimi i 21 Dhjetorit ku u bë thirrje, që ata që kanë mundësi, mund të shkojnë tek Komisariati numër 6, ku po mbahen disa protestues ndërsa u premtua se nesër protesta do vijojë sërish.
Protesta nisi sot në orën 17:00 tek parlamenti.
Dhunë e paprecedentë dhe joproporcionale, arrestime të dhunshme të pajustifikuara dhe forca speciale të armatosura dhe të maskuara ishte panorama që qëndroi përballë protestuesve tek Parlamenti, të cilët armët e vetme kishin vezët dhe thirrjet për dorëheqjen e arrestimin e kryeministrit Rama.
Pasi u rrethuan prej orësh nga qindra forca policie deri në mbarimin e seancës parlamentare, qytetarët kanë pritur daljen e deputetëve dhe ministrave socialistë për tiu shprehur indinjatën e tyre e për ti theksuar se nuk i përfaqësojnë. Detyra e policisë së shtetit gjatë protestës mesa duket ka qenë ruajtja e makinave të deputetëve socialiste.
Vezët e gjuajtuara drejt makinës së deputetes të Partisë Socialiste, Brisejda Çakërri i kanë mjaftuar që policia të ndërhyjë me dhunë ndaj qytetarëve, duke i tërhequr zvarrë dhe arrestuar.
Si ne protestat e tjera persona civilë pa asnjë mjet identifikimi, kanë arrestuar në mënyrë brutale protestuesit.
E teksa qytetarët vazhdonin të protestonin paqësisht në afërsi të Parlamentit në mënyrë të befasishme forcat e policisë kanë zhvendosur me dhunë qytetarët, në përpjekje për t’i shperndare.
Pas konfirmimit se të gjithë ministrat dhe deputetët socialist ishin larguar nga Parlamenti forcat e rendit filluan të largoheshin. Ndërkohë të paktën 15 persona janë arrestuar nga policia pa asnjë arsye, teksa edhe në protestat e kaluara arrestimet e qytetarëve janë shpallur të paligjshme nga Gjykata.
Kjo bëri që protestuesit nga parlamenti të shkonin fillimisht para kryeministrisë dhe më pas drejt Drejtorisë së Policisë dhe komisariatit 6 ku mbaheshin protestuesit










