Tuesday, November 26, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeSPORTAuf Wiedersehen Katar/ Gjermania, gjigandi i rrëzuar i futbollit botëror

Auf Wiedersehen Katar/ Gjermania, gjigandi i rrëzuar i futbollit botëror

“Futbolli është një lojë e thjeshtë. Njëzet e dy burra që ndjekin një top për 90 minuta dhe në fund, fitojnë gjithmonë gjermanët.”

Ka kaluar një epokë që kur ish-sulmuesi i Anglisë, Gary Lineker shpiku këtë frazë të paharrueshme – e megjithatë me kalimin e viteve ajo pasqyron një realitet që ndihet gjithnjë e më larg pas turpit të fundit të Gjermanisë në Kupën e Botës në Katar.

Gjermania e dikurshme? Ishte e gozhduar që do të ecte gjatë në fazat e turneve të mëdha.

Por sot u rrëzua në Kupën e Botës nga diferenca e golave, pavarësisht një fitoreje kaotike 4-2 kundër Kosta Rikës. Fitorja e Japonisë ndaj Spanjës ishte edhe fundi i shpresave të gjermanëve për të dalë nga grupi.

Ky është Botërori i dytë radhazi që Gjermania nuk arrin të dalë nga grupi, pasi ka pësuar të njëjtin fat në Rusi, në 2018-ën.

Kjo nuk kishte ndodhur në 16 turne të mëparshëm.

Duke pasur parasysh këtë rekord, Gjermania tani e gjen veten rrezikshëm pranë rrëshqitjes në “Listën B” të futbollit.

Pamja e lojtarëve të Gjermanisë që kanë mbyllur sytë të ulur në një bankë me sedilje të kuqe ishte përfundimi i zymtë i një fushate të dhimbshme. Tashmë ishin njohur me fatin e tyre para se të dëgjonin fishkëllimën e fundit.

Erdhi në fund të një nate që premtoi – të paktën për disa minuta – të ishte një nga më të rëndësishmet në historinë e Kupës së Botës, Kosta Rika që përmbysi epërsinë e hershme të Gjermanisë falë golave të Yeltsin Tejeda dhe Juan Pablo Vargas.

Në ato tre minuta kokëforta, kjo do të thoshte që Kosta Rika po kalonte grupin bashkë me Japoninë.

Në mënyrë të pabesueshme, Gjermania dhe Spanja po shkonin drejt daljes nga botërori. E kujt ia merrte mendja se kjo mund të ndodhte, para se të gjuhej topi?

Megjithatë kjo nuk zgjati. Kai Havertz shënoi dy gola si për të rivënë rregull, që u shoqërua me të katërtin e pamëshirshëm të Niclas Fullkrug.

Gjermania mori fitoren që i duhej për të pasur shanset e mbijetesës – por ishte e kotë. Fitorja e Japonisë ndaj Spanjës e shumëzoi çdo gjë me zero.

Trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, dukej i shkatërruar në fishkëllimën e fundit, mbrojtësi Antonio Rudiger u rrëzua dhe portieri veteran Manuel Neuer i nguli sytë në boshllëk – sikur të mos e besonte çfarë po ndodhte.

Eliminimi i Gjermanisë është tronditës, po të kemi parasysh reputacionin dhe historinë e ekipit, por për rezultatin gjermanët s’kanë kujt t’i ankohen, ashtu siç nuk kishin kujt t’i ankoheshin në Rusi kur përfunduan në fund të një grupi që kryesohej nga Suedia, pasi kishin humbur me Meksikën dhe Korenë e Jugut.

Pra, ndoshta ky zhgënjim i fundit për një vend me një histori aq krenare dhe të pasur nuk duhet të jetë aq i papritur.

Historia e kohëve të fundit ka shkatërruar reputacionin e tyre të mëparshëm, si të pathyeshëm, atë që i bëri të mundin Argjentinën për të fituar trofeun në vitin 2014, dhe që i shfaqi krisjet e para të armaturës vetëm katër vjet më vonë.

Gjermania ishte një skuadër mesatare në Euro 2020, duke dalë në Angli në 16-shen e fundit pas një turneu për t’u harruar. Të gjitha përballjet tregojnë se nuk ka mbetur më asgjë nga frika që ngjallte e bardha e famshme e fanellës së tyre.

Flick mori detyrën nga Hoakim Lëv në vitin 2021, por njeriu që kishte fituar Ligën e Kampionëve me Bayern Munich trashëgoi barrën e rëndë të rindërtimit të skuadrës.

Ata e nisën keq në Katar me një humbje nga Japonia. Kjo i la të dobët dhe kjo u dëshmua pavarësisht nga një pikë e fituar me vështirësi ndaj Spanjës dhe kjo fitore kundër Kosta Rikës.

E tillë është kërkesa për sukses – në të vërtetë pritshmëria e suksesit – në Gjermani, saqë ky dështim i fundit do të pasohet nga një analizë e gjatë se çfarë shkoi keq dhe si mund të rregullohet. Kjo do të jetë një tronditje për sistemin e tyre.

Flick dhe hierarkia e futbollit të Gjermanisë do të kërkojnë që rehabilitimi të jetë i shpejtë dhe efektiv në vendin që pret Euro 2024. Një dështim i ngjashëm përballë tifozerisë në Gjermani është i paimagjinueshëm.

Gjermania ka talentet e jashtëzakonshëm, 19-vjeçarin Jamal Musiala dhe Havertz i Chelsea. Ai është ende 23 vjeç, por shenjat janë që garda e vjetër ka filluar të përkeqësohet. Neuer është 36 vjeç dhe me siguri luan Botërorin e fundit. Thomas Muller është 33 vjeç. Ilkay Gundogan i Manchester City është 32 vjeç.

Fullkrug, personazhi kryesor i Flick në Kupën e Botës shënoi kundër Spanjës dhe Kosta Rikës, por ai është 29 vjeç dhe u bë pjesë e skuadrës vetëm për shkak të lëndimeve të Timo Ëerner të RB Leipzig dhe Lukas Nmecha të Wolfsburgut.

Joshua Kimmich, 27 vjeç, do të jetë jetik në fazën tjetër të zhvillimit të Gjermanisë, por sigurisht që do të ketë disa biseda të vështira pasi të kthehet në shtëpi, për shkak të dështimit në Katar. Në intervistën pas ndeshjes, Havertz pranoi se kishte probleme për t’u trajtuar në skuadër: “Kur del dy herë në raundin e parë dhe një herë në raundin e 16-të, është diçka jashtëzakonisht e hidhur,” tha ai.

“Duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se për katër vite, nuk ka shkuar gjithçka mirë. Tani ne jemi eliminuar dy herë në fazën e grupeve. Unë nuk mendoj se ne jemi më një ekip konkurent në kompeticione.”

Flick u shpreh: “Ne sapo jemi eliminuar. Mund të ngrihemi shpejt dhe të rikuperojmë. Do të shohim se si duket e ardhmja dhe si mund t’i zbatojmë idetë tona.

“Ne duhet të vlerësojmë mirë paraqitjen tonë në Kupën e Botës dhe të shkojmë në një drejtim tjetër. Ky është hapi tjetër që do të bëjmë dhe do ta bëjmë shumë shpejt. Unë jam një person shumë kritik dhe do të vlerësojmë gjithçka”.

Me pak fjalë, në këtë botëror Gjermania nuk pati qëndrueshmëri në mbrojtje dhe u shfaq e vetëkënaqur sa herë që shkonte përpara. Është një kombinim vdekjeprurës në futbollin e turneut.

Reputacioni si një skuadër e pathyeshme ka kohë që është zhdukur dhe këto dy javët e fundit ishin konfirmimi përfundimtar i këtij fakti.

Pikërisht për këtë, gjermanët u larguan nga Katari, si një gjigant i rënë i futbollit botëror./Përshtatur nga BBC

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME