Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Aludohet se Gjiknuri është thërritur për të dëshmuar në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë Gjiknuri kallëzoi në prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti. Ai dorëzoi kallëzimin në dhjetor të vitit 2017.
Pas daljes nga SPAK ku qëndroi për rreth 40 minuta në SPAK, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka dhënë një deklaratë për mediat. Gjiknuri tha se është marrë në pyetje nga prokurorët e posacëm lidhur me abuzimet gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Në fjalën e tij Gjiknuri u shpreh se kjo rrugë nisi me një vlerë 240 mln euro dhe përfundoi me një kosto 400 mln euro.
“Isha për të dëshmuar për një nga abuzimet më të mëdha rruga Tiranë-Elbasan. Ishte kontraktuar për t’u ndërtuar me një vlerë që nisi me 240 milionë euro dhe përfundoi me një kosto 400 mln euro. Shpjegimet e mia i dhashë në prokurori. Nuk kam gjë për të shtuar”, tha Gjiknuri pasi doli nga SPAK.