Në këtë periudhë vere, llogaritë sociale të futbollistëve po dhurojnë perla të pabesueshme. Mes fotove të çuditshme, postimeve të dyshimta dhe historive të shpërndara gabimisht, ka shumë materiale për tifozët. Materiale që krijojnë vetëm debate, në mungesë të futbollit të luajtur. Këtë herë ishte spanjolli Asensio, futbollisti i ri i PSG-së, që ra në grackën e rrjeteve sociale. Ish-lojtari i Real Madrid nuk e ka nisur mirë marrëdhënien me tifozët parisien.
GRAFIKA E GABUAR
Në rrjetet sociale ndeshen shumë faqe ilustruese, grafika që dizenjojnë në mënyrë perfekte dhe njëkohësisht të këndshme lojtarët e skuadrave të ndryshme. Prej ditës së djeshme spanjolli Asensio është zyrtarisht lojtari i ri i PSG-së. Por njëkohësisht edhe protagonist i një grafike të gabuar. Për të respektuar ardhjen e ish-sulmuesit merengues nën urdhërat e Luis Enrique, trajnerit të ri të skuadrës franceze, BRFOOTBALL ka shpërndarë vizatimin e lojtarit në shoqërinë e Mbappe. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme, përveç se në sfond nuk është Parc des Princes, por stadiumi Santiago Bernabeu.
TIFOZËT E PSG E MORËN KEQ
Te PSG klima nuk është e mirë. E gjitha pasojë e mosmarrëveshjeve që kanë lindur mes Mbappe dhe drejtuesve sauditë. Francezi nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën e tij. Ndërkohë, Real Madrid po ushtron gjithnjë e më shumë presion për ta marrë që këtë vit. Kjo është arsyeja pse tifozët kanë vënë në shënjestër Asensio, i cili e ka shpërndarë postimin në historitë e tij në Instagram. Një gafë që nuk e nis mirë marrëdhënien e tij me tifozët, që nuk duan të dëgjojnë dhe të shohin absolutisht asgjë që lidhet me Real Madrid.