Ekspertët thonë se duhet konsumuar minimalisht 2 litra ujë në ditë dhe gatime të lehta. Në këto ditë kur temperaturat e larta kanë arritur rekorde kujdesi për mënyrën se si ushqehemi është bërë shumë më i rëndësishme. Kryefjala është hidratimi dhe çfarë zgjedhim të konsumojmë.
Nutricionistja Arlinda Garuci tregon se në valën e të nxehtit minimalisht duhet të konsumojmë 2 litra ujë në ditë dhe të ushqehemi sa më shëndetshëm me gatime sa më të lehta dhe konsumimin e fruta-perimeve.
“Dy litra ujë në ditë. Duhet të kemi dhe një florë intensinal bakterial të shëndetshme duke qenë se stina e verës dhe mbi të gjitha sjell dhe viroza tipike të kësaj stine. Kështu që kos, dhallë dhe gjithashtu lëngjet e përftuara nga shtrydhja e freskët e fruta-perimeve në format e smuthit duke privilegjuar fruta-perimet e kësaj stine të cilat kanë dhe një masë ujore të lartë veç energjisë që na japin. Përsa i përket vakteve kryesore të përdorim sa më shumë drithëra integral në masën e duhur. Proteina më shumë do këshilloja pulë apo peshk apo më pak mishin e kuq sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare,” tha nutricionistja Arlinda Garuci.
Neglizhenca ndaj këtyre rekomandimeve thotë nutricionistja sjell, lodhje, dehidratim dhe skuqje të syve. “Bëhet problematike në sensin e lodhjes, pafuqisë. Patjetër kemi një djersitje, kështu që me lëngjet e tepërta nxjerrim dhe lëngjet e mira të cilët duhet t’i zëvëndësojmë”, u shpreh nutricionistja.
Kujdes duhet pasur me konsumimin e akulloreve. Jo çdo ditë dhe në masë të konsiderueshme. “Kanë shumë sheqer, gjalpë. Sidomos kur temperaturat janë shumë të larta trupi ka më shumë nevojë për sheqer natyral sesa industrial”, tha nutricionistja.