Nuk kanë fund paraqitjet fenomenale të Luiza Gegës gjatë këtij sezoni.
33-vjeçarja vijon të shkruaj faqe të lavdishme në historinë e atletikës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Kampionia Kuqezi ka arritur të kualifikohet për në finalen e 3000 metrave me pengesa në Kupën e Botës që po mbahet në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gega bëri një paraqitje të shkëlqyer në kualifikuese, duke konfirmuar edhe një herë tjetër formën e shkëlqyer që po kalon.
Luiza doli e treta në baterinë 2 të kualifikueseve duke regjistruar kohën 9:14.91, rezultat shumë pranë rekordit kombëtar, që i preu biletën për në finalen e madhe.
Kjo është hera e dytë që Gega shkon në finalen e një Botërori, pas Dohas në vitin 2019.
Ndërsa bashkë me finalen e Lojërave Olimpike të Tokios, kompleton një tripletë rezultatesh historike për Shqipërinë, pasi askush më parë nga atletika jonë nuk kishte mundur që të kualifikohej.
Në orën 04:45 të mëngjesit të 21 korrikut me orën shqiptare, do të jetë radha e finales, aty ku atletja jonë synon vendosjen e një tjetër rekordi kombëtar.