AKTUALITET

Ndalohet importi i mishit nga Brazili, vendimi i BE pasqyrohet edhe në Shqipëri

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar heqjen e Brazilit nga lista e vendeve të treta të autorizuara për importimin e mishit dhe të produkteve me origjinë shtazore në vendet e Evropës.

Vendimi u mor në mbledhjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian të Tregtisë së Blegtorisë së Mishit dhe DG SANTE.

 Pas këtij vendimi, në territorin shqiptar do të lejohen të futen vetëm ngarkesat, për të cilat certifikata shëndetësore veterinare zyrtare është lëshuar përpara datës 3 shtator ose që mbërrijnë në pikën kufitare deri në këtë datë.

Njoftimi i plotë i AKU

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të ndryshimeve në Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, me të cilën është ndryshuar Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) 2021/405, bën me dije se Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Evropian të dërgesave të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.

Gjithashtu, referuar edhe Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit”, importimi i këtyre produkteve kushtëzohet nga miratimi prej Bashkimit Evropian i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit.

Në kuadër të zbatimit të ndryshimeve, bëjmë me dije se më 28 maj 2026, në Bruksel, është zhvilluar një takim ndërmjet përfaqësuesve të UECBV (Bashkimi Evropian i Tregtisë së Blegtorisë dhe Mishit) dhe DG SANTE, gjatë të cilit përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë sqaruar se ngarkesat për të cilat certifikata përkatëse është lëshuar përpara datës 3 shtator 2026 do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar (BCP) të Bashkimit Evropian, pasi kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet nga vendet e treta të kryera përpara kësaj date.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sqaron se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe të gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata shëndetësore veterinare zyrtare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar, edhe në rast se këto ngarkesa mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë pas datës 3 shtator 2026.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button