
Fier – Zbulimet e reja arkeologjike dhe hapja e tyre për publikun kanë sjellë një tjetër rritje të interesit për Parkun Arkeologjik të Apolonisë.
Gjatë këtij viti, vizitorët kanë pasur mundësinë të shohin nga afër mozaikët e zbuluar, Vilën e Athinas, ndërsa një nga risitë kryesore janë edhe Termat Romake, një kompleks arkeologjik me sipërfaqe rreth 1 mijë metra katrorë. Deri më tani numuri i vizitorëve i kalonë të 92 mijë.
Bëhet fjalë për një projekt shqiptaro-francez, ku gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë gjurmë të rëndësishme të jetës së hershme në qytetin antik të Apolonisë.

Admir Xhelaj, arkeolog dhe specialist pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë, thotë se puna në këtë zonë do të vijojë edhe gjatë viteve të ardhshme, me synim nxjerrjen në pah të plotë të këtij kompleksi.
Ndërkohë, një tjetër projekt që vijon në Apoloni është ai për zbulimin e Tempullit të Shtyllasit, një bashkëpunim shqiptaro-gjerman, ku gërmimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e projektit.






Por krahas zbulimeve arkeologjike, Apolonia këtë vit po shënon edhe një tjetër tregues të rëndësishëm: rritjen e numrit dhe diversitetit të turistëve.
Vetëm në tetë muaj, numri i vizitorëve ka kaluar 85 mijë, ndërsa ajo që bie në sy është zgjerimi i hartës së vendeve nga vijnë turistët.
Përveç vizitorëve tradicionalë nga Europa, këtë vit në Apoloni janë regjistruar edhe turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Amerika Latine dhe Meksika, vende nga të cilat më parë vizitorët kanë qenë më të paktë.
Mes turistëve të shumtë janë edhe rumunët.
Një turiste nga Rumania tregon se Shqipërinë e ka vizituar edhe më parë dhe është rikthyer për të parë sërish pasuritë arkeologjike dhe kulturore të vendit.

TURISTE RUMUNE: “Po rikthehem përsëri në Shqipëri për të parë vendet arkeologjike. Nuk është hera ime e parë. Më pëlqen shumë mikpritja dhe tradita shqiptare. Shqipëria ka vende shumë të bukura dhe më pëlqen shumë edhe muzika folklorike shqiptare.”

TURIST RUMUN: “Më pëlqen shumë mikpritja shqiptare dhe arkeologjia shqiptare. Shqipëria ka vende shumë të bukura.”
Apolonia vijon kështu të dëshmojë se pasuria e saj arkeologjike nuk është vetëm një dëshmi e së kaluarës, por edhe një magnet për turizmin kulturor.





Me gërmimet që do të vijojnë, hapjen e mozaikëve dhe zbulimeve të reja për publikun, pritshmëritë janë që numri i vizitorëve të vijojë të rritet edhe në vitet e ardhshme. / ALB365/ Xhemil Beharaj










