“5 mln Euro ose largohu nga Shqipëria”/ Persona të armatosur dyshohet se i shkuan në resort biznesmenit të njohur në Orikum, 3 në pranga pas aksidentit

VLORË – Një ngjarje e rëndë dhe me elementë të fortë kriminalë është regjistruar mesditën e sotme në Orikum, ku një grup prej më shumë se 10 personash, disa prej tyre të armatosur, dyshohet se kanë shkuar në një resort në pronësi të biznesmenit të njohur Vasil Bedinaj.
Sipas informacioneve paraprake, grupi dyshohet se ka tentuar t’i vendosë një gjobë biznesmenit, ndërsa në terren është përmendur edhe shuma prej 5 milionë eurosh, si dhe kërcënimi që ai të largohet nga Shqipëria. Ky element është pjesë e informacionit që po verifikohet nga grupi hetimor dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Vlorës.
Ngjarja është sinjalizuar rreth orës 11:30, kur pronari i resortit ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në zona të ndryshme për kapjen e personave të dyshuar.
NDJEKJE ME SHPEJTËSI DHE AKSIDENT
Në afërsi të Pusit të Mezinit, efektivët kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Brenda mjetit janë gjetur tre persona. Dy prej tyre kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa personi i tretë nuk ka pasur probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit të automjetit, Policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri, pistoletë.

Ndërkohë, Policia e Vlorës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.
Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me struktura të tjera policore, po kryejnë kontrolle të shumta në terren për lokalizimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje.
Hetimet janë në zhvillim dhe pritet që Policia të japë një informacion më të plotë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.










