OP/ AN

Fieri nuk ka nevojë për leksione morale nga imoralët e partisë, por për seminare llogaridhënëse nga administrata e shtetit.

Nga Përparim Gjeka

Ka një kontrast të jashtëzakonshëm në këtë fotografi.

Në krye të mbledhjes qëndron një prej figurave më të fuqishme të pushtetit, e cila është nën hetim nga SPAK dhe është marrë e pandehur në çështje që lidhen me tenderat publikë, ndërsa u flet socialistëve të Fierit për:

“besën”, “disiplinën”, “mirënjohjen”, “detyrimin ndaj qytetarit” dhe “praninë pranë qytetarit”.

Por pyetja është e thjeshtë:

Me çfarë morali po i drejtoheni Fierit?!

Një prej qarqeve më punëtore të Shqipërisë.

Një qark ku njerëzit punojnë, prodhojnë, paguajnë dhe mbajnë familjet e tyre me djersën e ballit.

Madje, për Fierin, Balluku deklaronte se qyteti ishte “model” për pagesat, duke përmendur një nivel arkëtimi prej 98% të faturave të energjisë.

Pra, qytetari i Fierit e ka bërë pjesën e vet.

Ka paguar.

Ka punuar.

Ka kontribuar.

Po pushteti?

Çfarë i ka dhënë Fierit në këto dhjetë vite përballë gjithë atyre premtimeve?

Po, janë bërë investime kryesisht fasada në qendrën e qytetit, në Apoloni, një spital dhe ai dhuratë nga Turqia, në disa ujësjellës fshatrash, ndonjë projekt voltaik, edhe këta me pronarë lidhje të pushtetit. Vetë qeveria deklaronte 406 projekte dhe rreth 270 milionë dollarë financime në mandatin e parë, por që nuk janë parë nga fierakët.

Pra, problemi qëndron:

ÇFARË U PREMTUA DHE ÇFARË U REALIZUA?

Në 2021 u premtuan 24 orë ujë për Fierin dhe një sërë bashkish të qarkut.

U premtuan investime të reja në rrugë.

U premtua zhvillimi i madh i bujqësisë.

U premtua certifikimi përfundimtar i pronave bujqësore.

U premtua projekti turistik i Adriatikut.

U premtua gjimnazi i ri në Grabian.

U premtua zhvillimi i Divjakës si një qendër e madhe e energjisë diellore.

Ndërkohë, edhe sot qeveria vazhdon të flasë për projekte që janë ende në proces, në negocim, në garë, në studim fizibiliteti ose në të ardhmen.

Për shembull, për aksin Lekaj–Fier, pjesë e Korridorit Blu, në vitin 2025, si ministre, Balluku deklaronte se kontrata ishte në fazat finale të negocimit.

Pra, pas kaq vitesh, shumë prej premtimeve vazhdojnë të jetojnë në kohën e ardhshme:

do të bëhet, do të ndërtohet, do të nisë, do të investohet, do të përfundojë…

Ndërsa qytetari jeton në kohën e tashme.

Dhe qytetari pyet:

Ku është rezultati?

Ku është zhvillimi ekonomik që i është premtuar Fierit?

Ku janë investimet që krijojnë vende pune të qëndrueshme?

Ku është zhvillimi i madh i bujqësisë?

Ku është infrastruktura moderne që do ta lidhte Fierin me potencialin e tij real ekonomik?

Ku është zhvillimi turistik i bregdetit?

Ku është zgjidhja përfundimtare e problemeve të ujit dhe infrastrukturës rurale, ku, si rezultat i mosmirëmbajtjes së argjinaturave, kanë ndodhur përmbytje masive? Ku janë dëmshpërblimet për fermerët?

Dhe mbi të gjitha:

Ku është llogaria për miliardat e lekëve të parave publike?

Sepse nuk mund të ndodhë kjo:

Qytetari të paguajë rregullisht taksat dhe detyrimet e tij, ndërsa politikani t’i kërkojë qytetarit edhe më shumë “besë”. Jo!

Besa duhet të jetë reciproke.

Qytetari i jep shtetit taksat.

Shteti i jep qytetarit shërbime.

Qytetari i jep pushtetit mandatin.

Pushteti i jep qytetarit llogari.

Kjo është marrëdhënia normale në një demokraci.

Jo “Më beso mua.” Por:

“Ja ku janë paratë. Ja ku janë projektet. Ja sa kushtuan. Ja kush i fitoi. Ja çfarë u ndërtua. Ja çfarë nuk u ndërtua. Dhe ja ku mbaj unë përgjegjësi.”

Sepse është shumë e lehtë të flasësh për besë kur ke mikrofonin në dorë, por është shumë më e vështirë të japësh llogari kur ke SPAK-un përballë.

Dhe ky është pikërisht kontrasti që qytetari i Fierit duhet të shohë.

Njëra anë është qytetari që punon dhe paguan.

Ana tjetër është pushteti që administron miliardat që mbledh nga qytetari.

Prandaj, përpara se t’u flisni njerëzve të Fierit për besë, disiplinë dhe detyrim ndaj qytetarit, bëni një gjë shumë më të thjeshtë:

Jepuni llogari për paratë e tyre.

Sepse Fieri nuk ka nevojë për moral nga imoralët.

Fieri ka nevojë për:

punë,

investime reale,

zhvillim,

vende pune,

bujqësi të mbështetur,

infrastrukturë,

shërbime dhe drejtësi.

Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një politikë që nuk e sheh qytetarin si elektorat për t’u mbledhur në sallë, por si pronarin e vërtetë të parave dhe të shtetit.

Mos i kërkoni Fierit besë.

Fieri jua ka dhënë shumicën prej vitesh.

Tani është radha juaj t’i jepni Fierit llogari, me shumicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button