Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë/ Nis marshimi në rrugët e kryeqytetit: Ju erdhi fundi

Protesta kombëtare kundër qeverisë vijoi edhe këtë mbrëmje me marshimin në rrugët e Tiranës. Pas fjalimeve para Kryeministrisë, mijëra qytetarë nisën marshimin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e përmbyllur ditën e 63-të të protestës me thirrjen “Nesër më shumë”.
Një bandërolë gjigante është shpalosur nga qytetarët. “Shqiptarët të bashkuar, pushteti i tmerruar”, ishte mesazhi i shkruar në të dhe i brohoritur nga protestuesit në shesh.

Në protestën e sotme iu bashkuan edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, ndërsa nga podiumi u përcollën mesazhe mbështetjeje për emigrantët dhe për banorët e 15 bashkive që preken nga reforma e re territoriale.
Edhe këtë mbrëmje, protestuesit përsëritën kërkesën e tyre kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa bënë thirrje për ndryshim të sistemit politik dhe krijimin e një qeverie teknike.









