AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Roskoveci prodhon vaj ulliri cilësor, investimet në teknologjinë italiane rrisin standardet e përpunimit

Rroskovec – Kodrat e Roskovecit po kthehen gjithnjë e më shumë në një zonë të rëndësishme të kultivimit të ullirit. Përveç vreshtave, sipërfaqet e mbjella me ullinj janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke nxitur edhe investimet private në ngritjen e fabrikave moderne të përpunimit dhe prodhimit të vajit të ullirit.

Dy prej investimeve të njohura në këtë sektor janë fabrika e Maliq Hoxhës në Kurjan dhe ajo e Safet Rukos në Strum të Roskovecit. Të dyja fabrikat janë pajisur me teknologji moderne italiane, duke synuar përpunimin cilësor të ullirit dhe prodhimin e vajit sipas standardeve bashkëkohore.

Investimet, që kapin vlera të konsiderueshme financiare, kanë sjellë një tjetër mundësi për fermerët e zonës, të cilët tashmë mund ta përpunojnë prodhimin e tyre në ambiente moderne, pa pasur nevojë të kërkojnë shërbime në zona të tjera.

Ky sezon është karakterizuar nga një prodhim i bollshëm i ullirit. Fermerët flasin për rendiment të mirë, ndërsa edhe cilësia e vajit të përftuar vlerësohet e lartë. Sasia e vajit që nxirret ndryshon sipas varieteteve të ullirit, ku në disa raste një kuintal ullinj mund të prodhojë deri në 25 litra vaj, ndërsa në varietete të tjera rendimenti shkon në 18 apo 20 litra.

Në fabrikën e Maliq Hoxhës, në Kurjan, fermerët e zonës shprehen të kënaqur me prodhimin e këtij viti dhe cilësinë e vajit. Megjithatë, shqetësimi i tyre kryesor mbetet çmimi i ulët i shitjes së vajit të ullirit, i cili këtë sezon rezulton më i favorshëm për blerësit, por më pak fitimprurës për prodhuesit, krahasuar me vitet e mëparshme.

Përveç fermerëve vendas, në këtë fabrikë takuam edhe qytetarë e biznesmenë nga Tirana, të cilët prej vitesh janë klientë të rregullt të saj. Ata vlerësojnë cilësinë e vajit dhe thonë se kanë krijuar besim te produkti që prodhohet aty.

“Vijmë çdo vit dhe blejmë vaj në këtë fabrikë. Jemi tetë shokë dhe së bashku marrim rreth një ton e gjysmë vaj ulliri. Cilësia është shumë e mirë dhe nuk e ndërrojmë me asnjë fabrikë tjetër”, shprehen ata.

Një tjetër investim i rëndësishëm në këtë sektor është fabrika e Safet Rukos, në territorin e njësisë administrative Strum, përgjatë aksit rrugor Roskovec-Kutalli, në afërsi të Velmishit.

Safet Ruko thotë se fabrika është pajisur me teknologji italiane të viteve të fundit, e cila mundëson një proces të automatizuar të përpunimit të ullirit. Fermerët e zonës komunikojnë paraprakisht me punonjësit e fabrikës, të cilët organizojnë edhe radhën e përpunimit, duke shmangur pritjet e panevojshme.

Procesi nis me larjen e ullinjve dhe largimin e gjetheve, për të vijuar më pas me fazat e tjera të përpunimit. Ullinjtë kalojnë në dekantues, ndërsa procesi zhvillohet duke respektuar parametrat e nevojshëm të kohës dhe temperaturës. Përdorimi i ujit të ftohtë, me temperatura që variojnë nga 23 deri në 27 gradë Celsius, synon të ruajë cilësitë e produktit dhe të mundësojë përftimin e një vaji cilësor.

Edhe fermerët që përpunojnë ullinjtë në fabrikën e Safet Rukos shprehen të kënaqur me shërbimin dhe cilësinë e vajit. Për ta, një lehtësi e shtuar është edhe mundësia e transportit të ullinjve drejt fabrikës me automjetet e vetë subjektit, duke u ardhur në ndihmë veçanërisht fermerëve që kanë vështirësi me transportin e prodhimit.

Rritja e sipërfaqeve të mbjella me ullinj dhe investimet në teknologjinë moderne po i japin një tjetër dimension bujqësisë në Roskovec. Fabrikat e përpunimit nuk shërbejnë vetëm për fermerët e zonës, por po kthehen edhe në pika të rëndësishme furnizimi për konsumatorë nga qytete të ndryshme të vendit.

Megjithatë, përtej prodhimit të bollshëm dhe cilësisë së vajit, fermerët presin që edhe çmimi i shitjes të jetë në nivele që justifikojnë mundin dhe shpenzimet e tyre, në mënyrë që kultivimi i ullirit të mbetet një aktivitet ekonomik i qëndrueshëm. /ALB365

( Shkrim i sponsorizuar)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button