Shpërthen në ecje makina në Gjirokastër

Një automjet ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje në Gjirokastër dhe më pas është përplasur me trafikndarësen në lagjen “18 Shtatori”. Dy persona kanë mbetur të lënduar pas shpërthimit. Të lënduar kanë mbetur Rigers Mela dhe Beqir Devolli. Ata janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, automjeti rezulton në pronësi të Beqir Devollit. Grupi hetimor po punon në vendngjarje për të përcaktuar shkakun e shpërthimit dhe dinamikën e plotë të ngjarjes. Deri tani nuk ka një version zyrtar për atë që e shkaktoi incidentin.
Dyshohet paraprakisht se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga vendosja e një sasie lënde plasëse në automjet.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:00 në bulevardin ’18 shtatori’, ndërsa makina ishte në ecje dhe më pas u përplas me trafikndarësen
Makina drejtohej nga Beqir Devolli. Të dy të plagosurit u transportuan në reanimacionin e spitalit të Gjirokastrës në gjëndje të rëndë shëndetësore dhe pritet që të mbërrijnë në Tiranë.
Në fillim u dyshua se mund të kishte qenë shpërthimi i impiantit të gazit por më pas u mësua se makina rezultoi se kishte qenë me naftë.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet zbardhja e plotë e saj nga grupi hetimor.

Gjirokastër/Informacion paraprak
Rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”, dyshohet se ka shpërthyer automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit B. D., i cili ishte në lëvizje.
Si pasojë e shpërthimit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit B. D. dhe R. M., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e saktë të shkakut të shpërthimit









