AKTUALITETTOP-NEWS

Qëlloi me kallashnikov pranë banesës së ish-bashkëshortes, 22-vjeçarja: Më kërcënon sepse jam në një lidhje të re

Një 22-vjeçare nga Roskoveci, Aleksandra Elmazaj, denoncon kërcënimet e vazhdueshme nga ish-bashkëshorti i saj, Besmir Mustaj. E reja pretendon se ai ka qëlluar me armë zjarri pranë banesës së saj, ndërsa kërkon ndërhyrjen e policisë dhe drejtësisë për të parandaluar përsëritjen e ngjarjes.

Sipas dëshmisë së Aleksandrës, ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur ish-bashkëshorti i saj dyshohet se ka qëlluar me breshëri kallashnikovi pranë banesës dhe më pas është larguar.

22-vjeçarja tregon se në mëngjes ka konstatuar katër gëzhoja pranë portës së banesës, çka e ka shtyrë të njoftojë policinë. Efektivët kanë mbërritur në vendngjarje, kanë sekuestruar gëzhojat si prova materiale dhe kanë marrë dëshminë e saj. Sipas informacionit të bërë të ditur, ish-bashkëshorti është arrestuar nga policia.

Aleksandra shprehet se ajo dhe Besmiri janë divorcuar me vendim gjykate dhe se kujdestaria e vajzës së tyre 6-vjeçare i është lënë asaj. Megjithatë, sipas saj, ish-bashkëshorti ka vijuar ta kërcënojë, duke i kërkuar të rikthehen së bashku.

E reja pretendon se shkak për këto veprime është bërë edhe lidhja e saj e re sentimentale. Sipas saj, ish-bashkëshorti ka kërcënuar jo vetëm atë, por edhe personin me të cilin ajo është aktualisht në një lidhje.

Aleksandra jeton me motrën, ndërsa prindërit e saj ndodhen në emigracion, në Greqi. Ajo thotë se ngjarja i ka traumatizuar dhe shpreh frikën për sigurinë e saj dhe të familjarëve.

Gëzhojat e gjetura në vëndngjarje

Në denoncimin e saj publik, 22 vjeçarja kërkon që policia dhe drejtësia të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e saj dhe për të parandaluar përsëritjen e kërcënimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button