Për brezin tim…

Nga Henri Fero
Me keqardhje mund të them se mjekët janë ndër profesionet më të goditura, më të keqtrajtuara, më të paragjykuara dhe më të ndrydhura të shoqërisë shqiptare.
E nisim këtë rrugëtim me ëndrra të mëdha, me dëshirën për të bërë mirë. Me egon për të qenë më të mirët, një ego që na motivon të mësojmë shumë, që shpesh na bën të dukemi arrogantë, por që, në thelb, buron nga përkushtimi për të bërë më të mirën.
Ndërsa dekurajohemi gjatë fakultetit nga sistemi që vëzhgojmë, hyrja në profesion është një zgjim brutal, që na tregon se sa pak vlen sakrifica jonë, të paktën dhjetëvjeçare.
Të bëhesh mjek në Shqipëri nuk është e thjeshtë. Duhet të shkëlqesh në shkollën e mesme dhe të kuptosh se do të jesh i varur nga familja për të paktën gjashtë vite universiteti, sepse të punosh ndërkohë që studion do të thotë të mos jesh në gjendje të japësh më të mirën tënde. Ndërkohë, pas këtij rrugëtimi të gjatë, kuptojmë se ende do të na duhet të varemi nga familjet tona.
Cilëndo rrugë të zgjedhim në Shqipëri, mosha 30-vjeçare na gjen pa kursime, pa të ardhura të qëndrueshme dhe pa siguri për vendin e punës. Kështu, moshatarët tanë 25–30-vjeçarë përballen kryesisht me dy rrugë: të qëndrojnë ose të largohen, gjithmonë duke bërë pakte me veten.
Ne që largohemi lëmë pas çdo copëz jete që kemi ndërtuar ndër vite. Nisemi drejt pasigurisë, frikës, drejt një bote që shpesh na dëshmon se sa pak dimë dhe sa të papërgatitur jemi. Na duhet të shkatërrojmë gjithçka që jemi dhe të rindërtohemi në mosha kur, sipas pritshmërive të shoqërisë, duhet të kishim nisur të ndërtonim jetën tonë. Ndërkohë, forcat na lënë ngadalë, sepse nuk jemi më 20-vjeçarë me energji të pashtershme.
Të bëhesh mjek një herë është e lodhshme; të bëhesh mjek dy herë është një biletë drejt ezaurimit.
Sigurisht që arrijmë shumë, sepse jemi punëtorë dhe të zgjuar. Megjithatë, jetojmë me brenga, me mall dhe nuk reshtim kurrë së pyeturi: Po sikur? Po sikur Shqipëria jonë e vogël të na jepte pak më shumë?
Do të ishim duke u shërbyer atyre njerëzve për të cilët na dhemb shpirti, sepse vërtet na dhemb shpirti për popullin tonë, i cili nuk resht së vuajturi prej vetvetes.
Ndërsa ne që ikim luftojmë me vetminë, me diskriminimin dhe me veten për t’u përshtatur me kultura që shpesh na duken të largëta, ata që qëndrojnë vuajnë nga fakti se duhet të zgjedhin një mënyrë për të mbijetuar.
Disa bëjnë pakt me të mirën dhe jetojnë me sakrifica të mëdha për vite e vite, me të ardhura të pakta dhe pa mundësi zhvillimi profesional përtej specializimeve që nuk ofrojnë asgjë praktike.
Disa bëjnë pakt me shpirtin e tyre dhe e kthejnë profesionin në burim të ardhurash në kurriz të njerëzve që vuajnë, ose përdorin politikën për të zaptuar pozicione që, ndoshta, në një botë ideale, nuk do t’i meritonin kurrë.
Disa gjejnë rrugë të mesme, duke punuar në dy apo tri vende njëkohësisht dhe duke mos pasur mundësi të krijojnë një ekuilibër mes jetës dhe punës.
Në thelb, të gjithë ne, të ikurit dhe të mbeturit, na bashkon e njëjta nevojë njerëzore: instinkti i mbijetesës, i cili sot garantohet nga paraja.
Nuk është turp të duash të kesh të ardhura të mira dhe dinjitoze. Turp është të mos kesh guximin të ngrihesh dhe ta kërkosh dinjitetin te ata që të shtypin.
Turp është të bëhesh hallka e radhës në një sistem të kalbur, i cili të lë në mëshirën e fatit dhe të detyron të jetosh në varfëri, në shpërpjesëtim të plotë me sakrificën tënde dhe të familjes sate.
Turp është të jesh në shërbim të jetës dhe të heshtësh përballë dhunës barbare.
Turp është të jesh mjek, të dish aq shumë dhe të flasësh pak ose aspak.












