OP/ AN

SHQIPËRIA MES ANARKISË DHE “PRANVERËS ARABE”

Nga Gentian Ruko

Trazirat që kanë shpërthyer në Shqipëri duken si imitim i atyre në Francë në emër të rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike. E përbashkëta: “grupe të dhunshme morën në shënjestër ndërtesa publike, plaçkitën dyqane luksoze e supermarkete, si dhe sulmuan automjete e oficerë të policisë. Në Limoges, bashkia u përfshi nga flakët; në Marsejë, protestues të veshur me të zeza hynë me forcë në ndërtesën e bashkisë dhe e shëmtuan atë me grafite anarkiste, ndërsa në Lion, protestuesit i vunë zjarrin zyrës së turizmit të qytetit.”

Parulla” Tout le monde déteste la police” (“Të gjithë e urrejnë policinë”) frymëzoi edhe grupe shkollarësh në Itali “Kostume të errëta, maska ​​që mbulojnë fytyrën, shalle të mbështjella rreth kokës dhe gojës – kush janë këta të rinj që shkaktuan kaos në qendër të Milanos? Nga 50 personat e ndaluar, gjysma janë të mitur. Një vajzë mbeti e mbuluar me gjak, ndërsa turistët u bllokuan brenda restoranteve”, raporton “Il Giorno”.

Në Francë, po ngihen padi kundër policisë për shkaktimin e pasojave të rënda për shëndetin, duke përfshirë humbje të duarve ose humbje të shikimit te disa të mitur, pas përleshjeve me policinë në rrugë. Ndërsa në Tiranë palët kërcënuan publikisht njëra-tjetrën se do të hakmerren me vetëgjyqësi. Dikush arriti deri aty sa të vinte një shpërblim në para për zbulimin e policit që e kishte qëlluar me plumb gome dhe e publikoi në Facebook foton e tij me uniformën blu. Shumë biznese kanë ngjitur afishe ku luten të mos i dëmtojnë. Por, nëse plaçkitjet dhe grabitjet e pronës private do të vazhdojnë, mund të marrin përfundime fatale, nëse rastis që vandalët të ndeshen me pronarë hundëlesh. Dihet që shumë njësi shërbimi në Shqipëri u përkasin njerëzve me probleme me ligjin.

Në Tiranë, lideri 82-vjeçar i opozitës i bëri thirrje anëtarëve të partisë së tij të ngrihen në mbështetje të demonstratave.

Nga ana tjetër, në Itali, ish-kryeministri i qendrës së majtë, Matteo Renzi , tashmë senator i pozicionuar në qendër me partinë e re “Italia Viva, në opozitë të fortë me Melonin, dha një mesazh të prerë mbrëmë: pas dhunës në veri të vendit:

“Ata që shkaktojnë shkatërrime dhe sulmojnë karabinierët nuk janë revolucionarë të rinj; janë kriminelë. Të protestosh kundër kostos së lartë të jetesës është një e drejtë qytetare, por të dërgosh një oficer policie në spital është vepër e banditëve. Ata që hedhin mjete shpërthyese të improvizuara në Piazza del Duomo në Milano nuk po kundërshtojnë thjesht qeverinë – ata po sulmojnë vetë institucionet. Ne e dimë saktësisht se cilën anë të mbajmë: kundër atyre që përdorin dhunë, tani dhe gjithmonë.”

Në ndryshim nga Franca e Italia, në Shqipëri u dogjën ministritë dhe është tentuar të sulmohet Kryeministria. Trazirat pasojnë protestat e verës, në të cilat u kërkua dorëheqja e Kryeministrit. Dhe, kur u pa që arritja e këtij objektivi nuk ishte e mundur përfundimisht me marshime paqësore, mobilizuan studentë dhe adoleshentë shkollash, duke i shtyrë në përplasje të dhunshme me forcat e rendit. Duket qartë që ka një strategji për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues.. Dinamika e aksionit të koordinuar dhe të pandalshëm, që vjen duke u intensifikuar, pa u shqetësuar për pasojat e vendit, flet vetëm për subversion.

Sipas nenit 3 të Kushtetutës, rendi kushtetues është në bazën e shtetit, i cili ka për detyrë ta respektojë dhe ta mbrojë. Neni 1 saktëson se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Çdo mënyrë tjetër e marrjes së pushtetit, përfshirë dhunën apo grushtin e shtetit, është antikushtetuese.

Kodi Penal, në seksionin e krimeve kundër rendit kushtetues, sanksionon rreptësisht veprimet që synojnë rrëzimin me forcë të strukturës kushtetuese: “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”, përcakton neni 223.

Neni 221, “Kryengritja”: “Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen më burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet. Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm.”

Shqipëria po kthehet në vitin 1997. Madje, edhe më keq: po avitet hija e “Pranverës Arabe” Ajo lëvizje nisi pas vetëflijimit të Mohamed Bouazizi, një shitës ambulant tunizian, i cili i vuri flakën vetes më 17 dhjetor 2010, në shenjë proteste ndaj dhunës dhe poshtërimit nga policia bashkiake e korruptuar. Ky akt shërbeu si shkëndijë për protesta masive në Tunizi, të cilat detyruan presidentin diktator Zine El Abidine Ben Ali të ikte nga vendi pas 23 vitesh në pushtet. Kjo frymëzoi popujt e tjerë të rajonit. Mirëpo, rezultatet afatgjata ishin kryesisht shpesh tragjike: në Siri, Libi dhe Jemen, rënia ose dobësimi i regjimeve solli luftëra civile afatgjata, kriza humanitare dhe forcimin e grupeve ekstremiste si ISIS. Në vende si Egjipti, pas një periudhe të shkurtër tranzicioni demokratik, ushtria mori sërish kontrollin e shtetit.

Me kalimin e viteve, për shkak të krizës së rëndë ekonomike në Tunizi, shumë qytetarë të thjeshtë filluan ta mallkonin emrin e Bouazizit. Portretet e tij në qytet shpesh u dëmtuan nga njerëz që thoshin se “revolucioni i tij nuk solli bukë, por vetëm rrënim”.

Në foto:

Një protestues i maskuar përpiqet të godasë me shkelm një kapsulë gazi lotsjellës gjatë përleshjeve me policinë franceze në Marsejë. Francë, 17 tetor 2026. Në mbishkrimin në mur lexohet “Bismillah”, ndërsa në pankartë shkruhet “17/10/1961” – REUTERS

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button