Pedagogët mblidhen para Universitetit “Politeknik”: Rama të dëgjojë kërkesat e studentëve

Siç edhe paralajmëruan pedagogët janë mbledhur në mbështetje të studentëve. Një numër i lartë pedagogësh janë bërë bashkë ndërsa shprehin qëndrimet e tyre pro studentëve. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) iu bashkua reagimeve kundër dhunës policore ndaj studentëve protestues.
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi në fjalën e tij para të gjithë pedagogëve, i kërkoi kryeministrit Rama që të japë dorëheqjen dhe t’i japë zgjidhje politike situatës së krijuar. Teksa tha se padogëgët janë në mbështetje të të rinjve, ai dënoi dhunën e ushtruar nga policia ndaj të rinjve që protestojnë. Sipas tij, kjo qeveri nuk i dëgjon studentët dhe kur nuk dëgjon protestat paqësore do përballesh me të rinj të revoltuar.
“Kjo është një qeveri që nuk dëgjon. Meqë nuk dëgjoi studentët është logjike që do eskalonte kjo lëvizje. Kur nuk i përgjigjesh protestave paqësore, do presësh protestues të revoltuar.
Fatkeqësisht qeveria dhe kryeministri në vend që ti përgjigjej protestuesve paqësore sot ajo iu përgjigj me dhunë. Ajo që është më e keqja është se në kemi parë edhe persona civilë që rrezikojnë jetën e qytetarëve, ne si profesorat jemi të shqetësuar. Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është e papranueshme. I bëjmë thirrje përfaqësive ndërkombëtare, ambasadave që të hedhin sytë nga Shqipëria dhe nga ky brutalitet”, tha Kovaçi.
“Në mbështetje të tyre kemi vendosur që të bëjmë një marsh kundër dhunës së policisë. Sot duhet një zgjidhje dhe zgjidhja duhet të vijë nga politika”, tha Kovaçi, i cili kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama. Ai bëri thirrje që pedagogët të dalin çdo ditë në orën 10:00 para Universitetit Politeknik në mbështetje të të rinjve








