Rrjedhja e gazit në një apartament alarmon banorët, ndërhyrja e zjarrfikësve shmang tragjedinë

Fier – Një rrjedhje gazi nga një bombul gatimi ka alarmuar banorët e një pallati në lagjen “15 Tetori” në Fier, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimit zjarrfikës.
Ngjarja ka ndodhur në apartamentin ku banonte një çift të moshuarish. Sapo kanë konstatuar rrjedhjen e gazit dhe rrezikun që paraqiste situata, banorët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Zjarrfikësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur nxjerrjen e bombulës nga banesa dhe evakuimin e çiftit të moshuar për arsye sigurie.
Ndërhyrja e shpejtë e ekipit zjarrfikës parandaloi përkeqësimin e situatës dhe eliminoi çdo rrezik të mundshëm për jetën e banorëve.
Nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar apo dëme materiale. Rasti sjell edhe një herë në vëmendje rëndësinë e kontrollit të periodik të bombulave të gazit dhe reagimit të shpejtë në rastet e rrjedhjes.






