Kapelja TR më frymëzoi për këtë shkrim

Mga Big Basta
Çun Tirone nga Pazari Ri, më saktë sipër Kafe Europës, me ballkonin që shihte nga qendra dhe kam parë bustin e qoftëlargut kur ra, madje e imitoja skenën dhe para komshijve të pallatit.
I rritur në një dhomë me babin, mamin dhe motrën, sepse pjesa tjetër e apartamentit ishte ndarë me xhaxhain dhe familjen e tij dhe me hallën, se dikush vendosi një ligj që i la Shqiptarët me pasoja edhe sot. Por u rritëm nëpër protesta, nëpër mitingje, me zemrën plot me shpresë kur thërrisnin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Madje dalja ime e parë në miting masiv ishte kur erdhi James Baker në Tiranë.
Pastaj u rrita dhe familja ime ndërtoi një bar restorant mjaft të suksesshëm, i cili ishte bukë goje në momentet më të mira dhe të vështira, por një kryetar bashkie vendosi ta shembte sepse do mbante biznesin e cilitdo që ishte në krahun e partisë së tij. Dhe unë kurrë nuk i harroj lotët e prindërve të mi.
Dy momente që implikojnë identitetin tim dhe historinë e familjes time, dy fajtorë që sot akoma qeverisin dhe bëjnë opozitë. Prandaj kam të drejtën hyjnore të protestoj sa herë dua dhe të jem opozitar i përjetshëm, e sidomos kur akoma janë në skenë po të njëjtët që ndikuan në mënyrë direkte tek unë.
Prandaj zgjodha të merem me Rap sepse kam në gjak protestën dhe revoltën, dhe nuk qaj po më bllokuan këngët ose po nuk më ftuan nëpër koncerte dhe evente, sepse besoj tek shprehja e Dante Aligherit kur mbreti e pyeti se pse duan palaçon e oborrit më shumë se një shkrimtar dhe Dante u përgjigj: “Sepse njerëzit duan më shumë atë që u ngjan atyre”. Prandaj nuk do më shihni ndonjëherë pa bërë këngë kundër sistemeve ose pa shprehur mendimin tim, sepse jam njeri i lirë, Shqiptar, Çun Tirone nga Pazari i Ri
Foto marrë nga intervista më CNN gjatë protestës Flamingo










