KULTURËTOP-NEWS

Zbulime të reja arkeologjike në Shtyllas

Nga Julia Vrapi

Ekspedita arkeologjike e vitit 2026 në Shtyllas synon thellimin e studimeve mbi një monument antik, përmes kërkimeve në terren dhe analizimit të të dhënave arkeologjike. Projekti bashkon specialistë shqiptarë dhe të huaj, ndërsa përfshirja e studentëve nga universitete evropiane krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe metodave kërkimore. Rezultatet e punës pritet të kontribuojnë në njohjen më të plotë të monumentit dhe kontekstit të tij historik. Ekspedita në kuadër të projektit “Shtyllasi- Arkitektura dhe rivlerësime arkeologjike” u zhvillua gjatë muajit shtator dhe gjysmës së parë të muajit tetor. Projekti u drejtua nga dr. Lavdosh Jaupaj (Instituti i Arkeologjisë, Tiranë) dhe prof. dr. Stephan G. Schmid (Instituti Winckelmann, Universiteti Humboldt i Berlinit, Gjermani).

Në projekt morën pjesë gjithashtu dr. des.Gregor Döhner (Gjermani), dr. Szilamér Péter Pánczél (Rumani) dhe dr. Manuel Fiedler (Gjermani), si bashkëpunëtorë shkencorë. Sipas Institutit të Arkeologjisë, ekspedita u zhvillua sipas planifikimit dhe mundësoi arritjen e rezultateve te rëndësishme shkencore. “Brenda tempullit u realizuan dy sondazhe arkeologjike, të cilat kontribuuan në sqarimin e organizimit të brendshëm të monumentit, veçanërisht të zonës së altarit, si dhe në studimin e fazave të ndryshme të përdorimit dhe të shkatërrimit të tij, nga antikiteti deri në periudhën osmane.

Sondazhi i dytë mundësoi gjithashtu shqyrtimin më të hollësishëm të zonës së hyrjes dhe të rampës që siguronte aksesin në tempull. Megjithatë, të dhënat paraprake nuk lejojnë ende arritjen në përfundime, ndaj ky sektor kërkon studime të mëtejshme”, thuhet nga Instituti i Arkeologjisë.

Rëndësia e gjetjeve arkeologjike  

Instituti i Arkeologjisë thekson se gjetjet e ekspeditës kanë rëndësi për përcaktimin e kronologjisë së shkatërrimit të tempullit dhe rindërtimin e historisë së tij. Materialet e zbuluara, përfshirë fragmentet e qeramikës, skulpturat, monedhat dhe pjesët e çatisë, pritet të ndihmojnë në sqarimin e karakteristikave arkitekturore dhe fazave të ndryshme të zhvillimit të monumentit. “Gjetjet arkeologjike kanë rëndësi të veçantë për përcaktimin e kronologjisë së shkatërrimit të tempullit dhe rindërtimin e historisë së tij. Ato përfshijnë sasi të konsiderueshme fragmentesh qeramike të periudhave klasike, helenistike dhe romake, fragmente skulpturash, si dhe disa monedha të prera nga vetë Apolonia.

Janë zbuluar gjithashtu objekte dhe fragmente të shumta prej qeramike dhe mermeri, të cilat pritet të ndihmojnë në sqarimin e karakteristikave konstruktive dhe tipologjike të çatisë së tempullit, të datuar në gjysmën e dytë të shekullit V p.e.s. Sipas të dhënave paraprake, në të janë përdorur tjegulla mermeri nga ishulli i Parosit dhe tjegulla të importuara nga Korinthi. Në fazat e mëvonshme duket se janë përdorur edhe tjegulla me origjinë lokal”, thuhet nga IA. Instituti i Arkeologjisë bën me dije se krahas gërmimeve, ekspedita përfshiu edhe prospektime gjeofizike dhe gjeoelektrike për identifikimin e strukturave të mundshme arkeologjike dhe vlerësimin e potencialit të zonës. Analizat dhe studimi i materialeve të zbuluara vijojnë, me synimin për të plotësuar të dhënat shkencore mbi monumentin.

 “Paralelisht me gërmimet u kryen prospektime gjeofizike dhe gjeoelektrike joinvazive për identifikimin e strukturave të mundshme arkeologjike dhe vlerësimin e potencialit të zonës. Të dhënat e përftuara janë ende në proces përpunimi dhe analize. Vijojnë gjithashtu studimi i materialit arkeologjik dhe përgatitja e dokumentacionit shkencor, me synim integrimin e rezultateve në një interpretim të plotë të arkitekturës, kronologjisë dhe kontekstit historik të monumentit”, thuhet nga IA për këtë ekspeditë arkeologjike, që është në vijim të atyre më parë në fushën e arkeologjisë dhe ku janë angazhuar arkeologët shqiptarë.

Studentët pjesëmarrës në ekspeditë

Në kuadër të programit Erasmus, në ekspeditë morën pjesë studentë nga universitete gjermane, hungareze dhe rumune. Sipas IA-së, angazhimi i tyre në kërkimet në terren dhe dokumentimin arkeologjik ofroi përvojë praktike dhe nxiti shkëmbimin e metodave e të përvojave ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse. “Në tërësi, ekspedita e vitit 2026 përbën një etapë të rëndësishme në studimin arkeologjik të tempullit të Shtyllasit. Rezultatet e gërmimeve dhe të prospektimeve pritet të kontribuojnë në njohjen më të plotë të arkitekturës, historisë dhe kontekstit arkeologjik të këtij monumenti”, shton më tej Instituti i Arkeologjisë.

Kërkimet në Shtyllas janë pjesë e veprimtarisë më të gjerë shkencore të Institutit të Arkeologjisë, i cili ka zhvilluar projekte bashkëpunimi me universitete dhe institucione të huaja. Projektet shumëvjeçare të gërmimeve bashkuan përvojat e arkeologëve shqiptarë me ato të arkeologëve dhe specialistëve nga vende si Anglia, Franca, SHBA, Italia, Greqia, Austria, Gjermania, Zvicra, etj, në kërkimet për të gjitha fushat e arkeologjisë si për prehistorinë, antikitetin dhe mesjetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button