OP/ ANTOP-NEWS

Një foto për ndërkombëtarët që e shohin Shqipërinë nga fasada e Edi Ramës

Nga Ndriçim Kulla – Një fotografi pë Zonjën Ursula von der Leyen, zonja Marta Kos dhe ju, përfaqësues të institucioneve europiane në Bruksel, që e shohin Shqipërinë nga fasadat e Edi Ramës

Kjo është vajza ime, Laura, regjisore dhe gazetare, e cila sapo më solli këtë fotografi nga terreni, e pajisur me maskë gazi, kokore dhe jelek mediatik, sikur të ishte nisur për të raportuar nga një zonë lufte.
Si baba, nuk mund ta shoh këtë pamje pa një trishtim të thellë, sepse pas saj nuk qëndron vetëm shqetësimi për vajzën time, por edhe një pyetje që duhet t’u drejtohet të gjithë atyre që flasin në emër të demokracisë, lirisë dhe vlerave europiane.

Zonja Ursula von der Leyen, zonja Marta Kos dhe ju, përfaqësues të institucioneve europiane në Bruksel, a e shihni këtë fotografi? A mund ta kuptoni se çfarë do të thotë për një gazetare të dalë në terren me pajisje mbrojtëse, jo për të filmuar një luftë, por për të raportuar mbi atë që ndodh në rrugët e vendit të saj?

Shqipëria nuk është një vend në luftë, por kur gazetari duhet të mbrohet nga gazi, kur protesta shoqërohet me përplasje, frikë dhe rrezik, atëherë kemi të bëjmë me një gjendje që nuk mund të fshihet pas telajos së bukur të imazhit politik të Edi Ramës.

Fotografia e Laurës më kujton pamje të trishta nga koha e luftës. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo më dhemb dyfish: sepse nuk do të doja që vajza ime dhe gazetarët e tjerë shqiptarë të kishin nevojë për pajisje të tilla për të bërë punën e tyre në vendin e tyre.

Ndoshta kjo fotografi nuk e tregon të gjithë atë që po ndodh në Shqipëri. Por tregon diçka që nuk duhet shpërfillur: realiteti në terren mund të jetë shumë më i rëndë nga sa duket në ekranet e ceremonive zyrtare dhe në buzëqeshjet e diplomacisë.

Demokracia nuk matet me pritjet protokollare që i bëhen një kryeministri, por me mënyrën se si trajtohen qytetarët që protestojnë dhe gazetarët që kanë detyrën të dëshmojnë atë që shohin.
Kjo fotografi nuk është thjesht një kujtim i trishtuar për mua si baba. Është një dëshmi që meriton të shihet, të kuptohet dhe të mos kalohet në heshtje.

Sepse kur regjizorja dhe gazetarja detyrohet të vishet si për luftë, pyetja nuk është më vetëm se çfarë po ndodh në rrugë, por edhe çfarë po ndodh me demokracinë që Europa pretendon se po ndihmon të ndërtohet në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button